Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, u tall me ish-klubin e tij, Manchester Unitedin, lidhur me sagën e transferimit të mesfushorit portugez Bruno Fernandes nga Sporting Lisbona. Trajneri portugez i komentoi tentimet e Manchester Unitedit për ta trasnferuar Bruno Fernandesin pas fitores me rezultat 2:1 të Tottenhamit kundër Norwich Cityt në Premierligë. Ai e kritikoi ish-klubin e tij, nga të cilët u shkarkua në dhjetor të vitit 2018, pasi u pyet për të ardhmen e Fernandesit, i cili ka qenë i përfolur edhe për një transferim të mundshëm në Tottenham.
“Atëherë… Bruno Fernandes po vjen në Manchester United, apo jo? Ju shkuat në Lisbonë për këtë dhe ai nuk po vjen? A po vjen apo jo?”, tha Mourinho, duke u tallur me gazetarin e Sky Sports. Fernandes mbetet në qendër të spekulimeve të vazhdueshme për një transferim të mundshëm në Manchester United nga Sportingu, megjithatë për të është përfolur edhe Tottenhami si destinacion i mundshëm. Ndërkohë, Manchester Unitedi e pësoi humbjen e tetë në ligë këtë sezon, duke pësuar disfatë me rezultat 2:0 kundër Burnleyt në Old Trafford. Burnley e siguroi këtë fitore falë golave të shënuara nga Chris Wood dhe Jay Rodriguez, duke e siguruar kështu fitoren e parë në Old Trafford që nga viti 1962.
Presioni vazhdon të shtohet mbi trajnerin Ole Gunnar Solskjaer, i cili ka pësuar më shumë disfata (12) sesa që ka shënuar fitore (11) që kur është emëruar trajner permanent i Djajve të Kuq.