Neymar duket se ka ndryshuar. Ai nuk ka ndërmend të zhvillojë një festë të shfrenuar datëlindjeje më 5 shkurt për 28 vjetorin e tij, ashtu si në vitet e kaluara. Datëlindja e brazilianit ka qenë një natë që mbahej mend gjatë në Paris, pasi sponsorët e tij organizonin festime të çmendura dhe organizimi zgjaste për orë të tëra. Ndryshe do të ndodhë këtë vit ku lojtari preferon të kalojë një festë të thjeshtë në një rreth më të ngushtë. Ai do të festojë me familjarët e tij dhe me miqtë e ngushtë. 27-vjeçari po i përqëndrohet më shumë PSG-së këtë sezon dhe merkatoja e janarit ishte e qetë.
Braziliani vendosi të qëndronte deri në verë me kampionët e Francës, aty ku pret të lirohet. Ai dëshiron të rikthehet te Barcelona, por nuk dihet nëse drejtuesit e katalanasve do të paguajnë shifrën e çmendur për të siguruar shërbimet e tij. E ardhmja mbetet në dyshim.