Alfred Peza

Pakkush e kishte mendjen tek pritja zyrtare që i rezervuan Kryeministrit të Shqipërisë të enjten në Romë në përgatitje të konferencës së dontorëve, për nisjen e zbatimit të planit të madh të rindërtimit. Aq më pak median i vunë veshin lajmit, për faturën financiare të shkaktuar nga tërmeti i 26 nëntorit, që pritet të kalkulohet edhe zyrtarisht këto ditë nga ekspertët e fushës. Lajmi se Edi Rama do takohet me Angela Merkel në fillim të javës së ardhshme në Gjermani, mund të gjendet vetëm nëse nisni e kërkoni nëpër arkivat e lajmeve, me… dedektor. Sikundër më parë, edhe lajmet për vizitën e tij në Ukrainë, për marrjen e presidencës së OSBE nga Shqipëria për herë të parë në histori. E deri tek lajmi për rikthimin e opozitës shqiptare në sistemin politik e demokratik të vendit, përmes pjesëmarrjes në tryezën e reformës së re elektorale, duke shënuar pas një viti rikthimin e normalitetit në jetën e vendit.

Kjo nuk është e vetmja ditë dhe këto nuk janë të vetmet lajme, kur fokusin e hapësirës së informimit publik, nuk e zënë lajmet e një Shqipërie normale. Lajmet e një Shqipërie reale. Lajmet e një Shqipërie jo vetëm me të gjitha arritjet e mosarritjet e saj, por edhe me 1001 hallet e problemet e tjera të përditëshme si në çdo vend tjetër të botës së qytetëruar. Sepse tashmë duket sikur kjo Shqipëria që përpiqet, që lufton, që ndërton, që zhvillohet, që ecën, që pengohet, që rrëzohet, që ringrihet, që gabon, që korigjohet e vekorigjohet apo edhe që e korigjojnë, nuk ekziston më. Sepse në këtë Shqipërinë e jetës së përditshme, që vijon spiralen e saj të vogël por të pandalshme ngjitëse prej 30 vjetësh që nga rënia e komunizmit, duket sikur shkruhet gjithmonë e më pak. E akoma edhe më pak, për modelet e saj të suksesit. Flitet gjithnjë e më rrallë për diçka të bukur e njerëzore. Diskutohet gjithnjë e më pak për një vepër që do mbetet. Debatohet gjithnjë e më me pak për vlerat humane, intelektuale e artistike. Deri në atë pikë, sa duket sikur bën faj, nëse kërkon që të flasësh për historinë, idenitetin, trashëgiminë e kulturës, letërsinë dhe kërkimin shkencor, etj.

E gjitha kjo deri diku, e ka një shpjegim. Sepse ndryshe nga dje, sot Shqipëria po jeton në epokën e rrjeteve sociale, e mediave online, e botës pa kufij, e lëvizjes së lirë të njerëzve, mjeteve, kapitaleve e mallrave dhe nuk është më thjeshtë një botë e izoluar, brenda 28 mijë kilometrave të saj katrorë. Dhe Shqipëria e shqiptarët sot, nuk janë më përpara sfidës së dikurshme të mbijetesës, por përpara sfidave të lirisë. Kanë kaluar madje shumë kohë nga atëherë, kur në 22 qershorin e 1991 sekretari Amerikan i Shtetit James Baker duke u pritur me madhështinë e udheheqësit të parë perendimor që vinte në Tiranë pas 50 vitesh diktaturë, do të deklaronte fjalët që atë kohë zor se janë kuptuar si sot: “Kam ardhur sot këtu për të të thënë se liria punon. Më në fund, je i lirë të mendosh me mendimet e tua. Më në fund, je i lirë të flasësh me mendjen tënde. Më në fund, je i lirë të zgjedhin krerët e tu. Më në fund, je i lirë të adhurosh rrugën tënde…!”.

Liria i ka dhënë frutet e saj, për një popull që sot ka dy shtete në Ballkan, e për një vend që është anëtar i NATO-s dhe prêt të bëhet pjesë e familjes europiane. Një shtet që po reformon thellësisht sistemin e vet të drejtësisë dhe që është pjesë e rëndësishme e vendimarrjeve rajonale dhe e sfidave të përbashkëta globale. Në një kohë kur rendi botëror është vënë në pikëpyetje, duket sikur është bërë shumë më e thjeshtë për të gjetur pikën e zezë në një telajo të bardhë, sesa dritën e bardhë në sfondin e një tabloje të errët.Ndaj, duket sikur ka një garë të etheshme e të pashpallur, për të ekspozuar me apo pa shkak, me apo pa rast, me apo pa arësye, me apo pa të drejtë një Shqipëri virtuale vetëm të zezë. Ku nuk ndodh asgjë tjetër veçse gjithkush vritet, plagoset, përdhunohet, gjakoset, pi drogë, bën korrupsion, shantazhon, kërcënon, ska bukë të hajë dhe ku gjithkush ngryset me ëndrrën që tia mbathi me të katra, sapo të gdhihet e nesërmja.

E ta mendosh që e gjitha kjo, frymëzohet nga politika e cila nga njëra anë thotë se “Shqipëria sot është kthyer në vendin që drejtohet nga kriminelët, ndërsa të ndershmit ikin”. E nga ana tjetër thotë se “të gjithë nga veriu në jug duhet të zgjohen për të rindezur energjitë më të bukura për ta bërë Shqipërinë anëtare të BE dhe shtëpinë e shqiptarëve”. Me kushtin e vetëm sigurisht, që të iki Edi Rama dhe të vijë në pushtet opozita! Kjo Shqipëria jonë edhe virtuale, edhe reale do të bëhet në të vërtetë shtëpia e të gjithë shqiptarëve, vetëm atëherë kur atë ta trajtojmë si shtëpinë tone të përbashkët. Si shtëpinë e mazhorancës dhe të opozitës. Si shtëpinë e punëdhënësit dhe të punëmarrësit. Si shtëpinë e të pasurit dhe të varfrit. Si shtëpinë e atij që ka dhe të atij që nuk ka fare as çati sot mbi kokë. Si shtëpinë që do ta ndërtojmë vetë dhe jo si shtëpinë që do të na e ndërtojnë të tjerët! Duke bashkëjetuar brenda saj, të gjithë sëbashku.