Përshëndetje. Jam një djalë 25 vjeç. Kur kam qenë më i vogël kam kaluar një dëmtim të buzës dhe dhëmbëve. Si pasojë kam probleme në artikulimin e disa tingujve siç është fonema s, z, c… Ajo çka me shqetëson më shumë është sikleti dhe gjendja emocionale në punë dhe në shoqëri. Më pengon të flas ne publik dhe në auditore. Shpesh herë me kufizon në intervista pune pasi më shoqëron një ankth dhe ndjenjë mosbesimi. Kam bërë kontrolle të mëparshme në mjekë maxilo facial dhe nuk kam asnjë dëmtim strukturor. Më kanë udhëzuar për terapi logopedie dhe do doja të dija si mund të më ndihmoni.
Berjana Molla, Logopede, QSUT, përgjigjet : Përshëndetje, ju falënderoj që më keni shkruar. Me sa më thoni ju shoh që kemi të bëjmë me një formë dislalie funksionale, të paktën për sa kohë mjekët e maxilos kane hedhur poshtë format e tjera. Dislalia funksionale karakterizohet nga vështirësia për të prodhuar tinguj specifike si S,Z,R , por që nuk paraqesin alternime anatomike të organeve të të folurit ose defiçite auditive. Këto çrregullime mund të vijnë nga shkaqe të ndryshme si mbajtja për një kohë të gjatë e biberonit, thithja e gishtit të madh si dhe ngrënia e thonjve që mund të çojnë në një pozicionim jo korrekt të gjuhës.
Cilido qoftë shkaku i dislalive është gjithmonë e nevojshme riedukimi i gjuhës dhe impostimi korrekt i tingujve të alternuar. Rëndësi të madhe luan edhe koha e ndërhyrjes, pasi vihen re rezultate më të mira te fëmijët sesa tek adultët te të cilët sjelljet e gabuara janë më të vështira për t’u korrigjuar. Megjithatë unë ju këshilloj të kaloni për një vlerësim logopedik dhe të fillohet të punohet me ripozicionimin e gjuhës, korrigjimin dhe automatizimin e fonemës problem.