Kylian Mbappe, një ditë më parë bëri zgjedhjen e vështirë mes Cristiano Ronaldos dhe Lionel Messit, kur u pyet se nga cili futbollist frymëzohet në karrierë. Francezi, kampion bote në “Rusia 2018”, u përcaktua në anën e portugezit të Juventusit, duke u justifikuar se e ka humbur mundësinë e një karriere si e kapitenit blagurana, duke mos qëndruar te Monaco. Pra, indirekt, ai vlerëson te Messi vetëm besnikërinë ndaj një klubi, Barcelonës. Harron trofetë e panumërt, gjashtë “Topat e Artë” të argjentinasit, më shumë se gjithë të tjerët në histori, etj. etj. Natyrisht, ku merr anë në të tilla krahasimeh, është e paevitueshme që të mos shkaktosh polemika. Pak a shumë është si në rastin e duopolit Pele-Maradona… E para që ka reaguar ndaj zgjedhjes së yllit të PSG ka qenë gazeta katalanase, “Sport”, shumë pranë Barcelonës, përmes një foto-montazhi mjaft domethënës, që e shoqëron me disa nga frazat e Mbappe:
Mbappé:

– “Një karrierë si e Messit? Është vonë për mua, duhet të kisha qëndruar te Monaco”
– “Tani duhet ta frymëzoj veten me karrierën e Cristiano Ronaldos”. “Sport” e mbyll paraqitjen e foto-montazhit në rrjetet sociale me përcaktimin e saj të pamëdyshtë: Messi është unik! Ky foto-montazh mund të “përkthehej” në shqip me shprehjen e famshme të filmit “Përrallë nga e kaluara”: Rritu Gjino, rritu, t’i kapësh fiqtë! Fiqtë në sfond janë… “Topat e Artë”, plot gjashtë të tillë, një mollë e ndaluar për francezin deri tani. Një i vetëm, jo më gjashtë, që duken të paarritshëm edhe nga CR7!

Ja çfarë deklaroi dje Mbappe për “Gazzetta dello Sport”: “Tashmë është vonë për mua të bëj karrierë si Messi (besnik i një skuadre të vetme), përndryshe do të më duhej të qëndroja te Monaco. Kështu që, duke dashur të mos iu heq asgjë meritave të Messit, tani duhet të frymëzohem nga karriera e Ronaldos”.