Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, iu drejtua me një mesazh të gjithë mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, që të kërkojnë gjithçka iu duhet për të përballuar situatën me koronavirus, ku tashmë janë konfirmuar dy raste edhe në Shqipëri.Në një dalje për media, Basha tha se qeveritë shkojnë e vijnë, ndërsa mjekët janë ata që mbeten dhe që kanë në dorë jetën e qytetarëve.“Duke iu uruar shërim të shpejtë të prekurve, drejtohem me këtë mesazh: të dashur mjek e infermierë, sytë e veshët janë drejtuar te ju. Sot jemi në mbështetjen tuaj për të zbatuar masat që sugjeroni. Mos ngurroni të kërkoni çfarë iu nevojitet për të përmbushur misionin tuaj.
Qeveritë shkojnë e vijnë, ata që do të mbeten jeni ju, keni në dorë jetën e qytetarëve. Kemi një nga stafet më të mira, sot duhet t’iu japim mjetet dhe fondet e nevojshme për të përballuar këtë situatë. Sa më shumë të flisni ju sot, aq më të qetë do të jenë qytetarët. Sot duhet të jemi të përgjegjshëm për çdo veprim.Shmangni kontaktet me qytetarët dhe të afërmit për një periudhë dy javore. Kujdes të veçantë duhet të kemi me të moshuarit. Sa më të kujdesshëm të jemi sot, aq më lehtë do të kalojë kjo situatë. Ne do ndjekim hap pas hapi situatën. Ekspertët tanë do të jenë në gatishmëri. Grupi i punës i ngritur në PD do të bëjë gjithçka për të monitoruar këtë situatë”, tha Basha.