TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka shpjeguar procedurën si mund të merret leja për të dalë nga shtëpia nga dita e hënë, vetëm për një orë në ditë, vetëm një anëtar i familjes për të bërë pazar. Nga ky rregull për të marrë lejen për të dalë nga shtëpia përjashtohen të gjithë ata individë që vijojnë punën normalisht dhe janë të pajisur me autorizim përkatës apo ata që kanë lejen për të qarkulluar me makinë.

“Për të bërë një shpjegim të detajuar jam bashkë me drejtoren e AKSHI-t dhe e falenderoj të gjithë ekipin që ka ngritur të gjithë këtë sistem, pasi është punuar që ditën e parë, por për t’u vendosur në punë kërkon kohën e vet. Kjo është leje dalje për në pazar dhe jo për në punë, pasi leja e qarkullimit dhe për të shkuar në punë do të vijojë sikur është. Për ata që shkojnë në punë dhe kanë autorizimin dhe nuk ndryshon asgjë” tha ai.