Nga Ilir Beqaj/

Testime, testime, testime (T T T, 3T) kërkon në mënyrë insistuese opozita në Shqipëri kryesisht me gojën e disa figurave kryesore të saj me eksperiencë edhe në nivele të larta drejtuese politike të shëndetësisë në Shqipëri, ndër vite.

Sipas saj, kështu kërkon edhe OBSH: Test, test, test (T T T, 3T). Në vërtetë se çfarë këshillon OBSH e kemi mësuar këto ditë edhe në gjuhën shqipe nga një pjesë e konferencës së shtypit të OBSH të datës 29 mars. OBSH thotë nëse shkalla e pozitivitetit të testimeve është në rendin 3 – 12 %, kjo tregon se po kryhet një testim i mjaftueshëm.

Shifrat që disponohen pas tre muajsh eksperiencë botërore më kanë bërë të vijë në konkluzionin se T T T apo 3T nuk qenka çelësi i artë në kontrollin e pandemisë COVID 19, edhe pse është kushti numër një i nevojshëm për t’u përballur me COVID 19.

Që testimi të jetë efikas duhet të paraprihet nga një pikasje (track në anglisht) e shënjestruar duke kombinuar zbulimin në territor me kryqëzimin e të dhënave që disponohen nga bazat e të dhënave shtetërore. Më tej duhet të funksionojnë realisht izolimi dhe karantinimi. Kjo është mendoj sfida më e madhe dhe nuk mjafton vetëm rëndimi i ndëshkimeve në legjislacionin penal. Prandaj nuk na lypet vetëm “test, test, test”, por do të na duhet “track, test, isolate”.

Por nuk u bënë të treja siç duhet dhe në harmoni të plotë me njëra-tjetrën sa do mirë të bëhet njëra, e gjitha nuk do të jetë e suksesshme.

Por a mund të funksionojë dhe si mund të funksionojë ky trinom në Shqipërinë e sotme në kushtet edhe në ankthit të pasigurisë së jetës dhe ekonomisë.

Nga vëzhgimet personale në territor nisur nga niveli i respektimit të masave shtrënguese më duket utopi të mendojmë se karantinimi do të zbatohet vullnetarisht në mënyrë rigoroze.

Në datën 11 prill janë deklaruar 17 raste të reja me COVID 19. 6 prej tyre janë nga e njëjta familje në një fshat të Tiranës. Të 6 personat kanë qënë në një darkë me një person që është prej ditësh i shtruar në siptalin e sëmundjeve infektive. Duhet të kishin qëndruar në vetkarantinim. Sa e vërtetë është kjo? Kush e ndjek në territorin rural shqiptar zbatimin e karantinimit? Po nëse vallë dikush prej tyre do të kishte shkuar në urgjencën mjekësore në një nga ditët nga dyshimi deri në përgjigjen e testimit a është i informuar (dhe i përditësuar) spitali i Traumës apo çdo spital tjetër në vend që pret urgjenca mjekësore me listën kombëtare të personave në ndjekje? Madje dhe spitalet jopublike duhet të jenë të informuar.

Prandaj pas pikasjes do të duhet ta gjurmojmë (trace ne aglisht) personin, përfshirë këtu edhe shkallën e zbatimit të izolimit apo karantinës. Dhe ta testojmë menjëherë. Nuk ka pse të presim për simptomat. Shumë raste po thuhet janë pa simptoma. Edhe nëse e dijmë që testi i parë me shumë gjasë mund të jetë negativ. Ta ritestojmë. Ta ritestojmë përsëri derisa të dalë nga dritarja e inkubacionit. Pas 45 ditësh eksperiencë me COVID 19 kemi një ide më qartë për dritaren e inkubacionit. Mund të duket se po shpenzojmë shumë me disa testime për një rast të dyshuar, por kostoja eksponenciale e përhapjes së virusit nga 6 të dyshuarit është jashtëzakonisht më e madhe. Edhe njerëzore, edhe shëndetësore, edhe financiare, edhe ekonomike.

Kështu që në vend të bëjmë testim, testim, testim masiv, për mendimin tim i pafrytshëm në fazën e shpërndarjes komunitare që ka aktualisht COVID 19 në Shqipëri, do të na duhet testim, ritestim, ritestim … në mënyre persistente.

Testim masiv biologjik (molekular) për çfarë? Nëse e marr vesh që jam i shëndetshëm sot, çfarë do të më mbrojë nga mosinfektimi nga nesër e në vjim?

Testim masiv imunologjik? Mundet! Të presim sa të jenë realisht disponibël. Fillimisht cilësor, se kushdo qoftë kosto e tij do të jetë më e vogël se kostoja nga mbyllja e ekonomisë. Por edhe për çfarë? Për identifikim autentifikim individual imunologjik?! Nëse duhet për studime epidemiologjike nuk ka nevojë të jenë masiv edhe nëse do të duhet të bëjmë studime të shtresëzuara. Jam partizan i testimit masiv imunologjik për personelin e shëndetësisë.

Pra çelësi qenkan Pikasje, Gjurmim, Testim (track, trace, test).

Por jo Test, Test, Test por Track, Trace, (r)Test. Sidoftë T T T apo 3T.