Teksa pandemia e koronavirusit mban në ankth pjesën më të madhe të globit, një nga shpresat më të mëdha të njerëzve mbetet stina e verës.
Edhe pse është ende herët për ta ditur me siguri nëse koronavirusi i ri do të jetë sezonal pasi për këtë do të duhej të shihnim se si ndryshojnë rastet nga njëri vend në tjetrin përgjatë vitit, një tregues i rëndësishëm është përhapja e tij në klima të ndryshme rreth globit.
Ajo që dihet është se vatrat kryesore të virusit janë krijuar rreth rajoneve të freskëta e të thata. Një hulumtim sugjeron se vendet e prekura me rëndë nga Covid-19, ato ku virusi u përhap pa u kuptuar mes njerëzve, deri në 10 mars, kishin temperatura mesatare më të ulëta se sa ato me më pak raste.
Po ashtu, një tjetër studim shqyrton 100 qytete kineze me mbi 40 raste me Covid-19 dhe sugjeron se sa më të larta temperaturat, aq me i ulët është niveli i transmetimit.
Megjithatë, ajo që hedh dyshime mbi hipotezën se vera do të sjellë fundin e Covid-19, është se virusi është përhapur tashmë në çdo zonë klimatike, nga të ftohtat, te të ngrohtat e ato të lagështat.