Nga Endri Kajsiu – Si në asnjë vend që po përballet me plojën e epidemisë, numri i fataliteteve në Shqipëri është shndërruar në një argument politik.
Më e keqja nuk është vetë fakti që ky debat ekziston, por mënyra se si ai shtrembërohet me të dhëna shkencore të nxjerra tërësisht nga konteksti i tyre.
Premisa e parë, e të gjithë atyre që kapen pas kësaj përsiatje është e dhëna (e debatueshme) se në Shqipëri ka një vdekshmëri më të lartë se vendet e tjera të rajonit nëse merret për bazë raporti vdekshmëri për numër të të prekurish.
Fakt është që një e dhënë e tillë, në momentin që flasim nuk tregon absolutisht asgjë. Kjo për tre arsye kryesore. E para, vende të ndryshme janë në fazë të ndryshme të kurbës së epidemisë.
E dyta, vende të ndryshme ndjekin strategji të ndryshme mbi numrin e testimeve të realizuara. Dhe e treta, statistika të tilla përjashtojnë apriori diferencat demografike si dhe historikun e sëmundshmërisë midis shteteve të krahasuara.
Një e dhënë e tillë mund të përdorej vetëm nëse në të gjithë globin, qasja ndaj testimit, përllogaritja e të prekurve dhe mënyra e paraqitjes së sëmundjes, përfshi moshën mesatare apo numrin e të prekurve nga sëmundje dytësore do të ishte e njëjtë. Por, kjo është e pamundur.
Në kushte të tilla, një të dhënë disi më plotësuese jep raporti i vdekshmërisë për milionë banorë.
Nëse marrim këtë raport, Shqipëria ka sot një vdekshmëri prej 8 banorësh për 1 milionë banorë, e cila është shumë më e ulët se Sllovenia me 19 për milionë, më e ulët se Maqedonia e Veriut dhe Bosnja me 10 për milionë, e njëjta me Greqinë dhe Serbinë dhe më e lartë se Kroacia e Mali i Zi.
Megjithatë, argumenti se vdekshmëria në Shqipëri është më e lartë se diku tjetër, në vetvete nuk shpreh vetëm një stastikë, por hedh dyshimin se sistemi ynë shëndetësor ofron një standart trajtimi dhe kurimi më të ulët se ai i vendeve fqinje.
Ky është një argument politik që i shkon për shtat opozitës, që pavarësisht gjykimit individual nëse është fisnike apo jo të hidhet baltë mbi shëndetësinë në këtë orë të vështirë, pa dyshim që sjell përfitime objektive politike.
Megjithatë, në kushtet aktuale dhe për të gjithë arsyet e lartpërmendura, efikasiteti i sistemit shëndetësor sot nuk mund të matet absolutisht me raportin e vdekshmërisë.
Faktorët që tregojnë sa efikas është ky sistem, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë botën janë dy: A ka pasur vdekshmëri të shkaktuara nga kolapsi i sistemit shëndetësor dhe si është raporti midis të kuruarve/infektuarve.
Për t’iu përgjigjur pyetjes së parë, është e qartë për të gjithë që fatmirësisht, deri tani nuk ka pasur absolutisht asnjë vdekje të ndodhur si pasojë e pamundësisë së sistemit shëndetësor për të ofruar kurimin, ashtu siç ka ndodhur në disa prej vendeve më fort të goditura, midis tyre edhe disa prej 20 ekonomive më të zhvilluara të botës.
Dhe e dyta, raporti shërim/infektim në Shqipëri, në ditë të ndryshme ka qenë pozitiv dhe në ditë të tjera ka qëndruar stabël. E përkthyer në shifra, që prej shpërthimit fillestar e deri në javën e katër të marsit, numri i të shtruarve me coronavirus qëndron në shifrat rreth 80.
Mosrritja e këtij numri tregon qartësisht se situata është nën kontroll, ashtu siç tregon edhe numri stabël i të sëmurëve që aktualisht janë në terapi intensive, me maska oksigjeni apo intubim (11 të tillë).
Përfundimisht, e vërteta e vetme është që në këtë situatë, gabimi më i madh është që të biesh në kurthin e parashikimeve dhe përfundimeve të parakohshme.
Krahasimi i vetëm i mundur do të jetë në gjendje të bëhet pas përfundimit të epidemisë, kur me gjakftohtësi do të mund të krahasohen të dhënat empirike midis shteteve të ndryshme.
Çdo gjë tjetër, është për momentin vetëm një amatorizëm statistikor, që kamulfon një beteje të turpshme për pushtet, beteje e paaftë për të vendosur një armëpushim edhe në momentin kur i gjithë vendi lëngon nga plagët e këtij armiku të padukshëm.
Të japësh sot përfundime mbi vdekshmërinë, numrin e rasteve apo efikasitetin e sistemit shëndetësor, është si të jepje në vitin 1941 një statistikë shteruese për demët ekonomike dhe numrin e personave të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kjo, pa dyshim ishte e mundur vetëm pas vitit 1945, kur tytat e armëve u ftohën sërish, duke i lënë vendin jetës së përditshme dhe mundësisë për të përmbledhur gjithë fatkeqësitë e luftës. Duke nxjerrë statistika tani, do të ishte njësoj sikur në mesin e Luftës së Dytë Botërore, ndonjë Nostradamus të dinte se çfarë do të ndodhte deri në fund të saj.