Nga Ilir Beqaj

Imagjinoni sesi do të kishim jetuar këto 6 javë të epidemisë së COVID 19 nëse do të kishte ndodhur 20 vite më parë.

Me shumë më shumë pak internet, pa smartphone, pa 3G/4G, me Google në fillesat e tij, me pak e-mail, pa Whatsup, pa Facebook, pa Tweeter, pa Instagram, pa Youtube, pa Netflix, pa Amazon, pa Alibaba, pa Airbnb, pa Uber, pa Booking.com, pa IOS, pa wireless, pa e-banking, pa e-parking, pa e-health, pa e-learning, pa e-books, pa…..

Edhe pa eAlbania. Do të thoni me shumë të drejtë, ç’hyn në këtë mes eAlbania sidomos krahasuar me gjigantët botërorë që përmenden më sipër.

Grafiku në vijim ilustron përdorimin e platformës eAlbania në Shqipëri në periudhën 1 janar – 15 prill 2020. Duket qartë se si ka ndryshuar numri i përdorueseve në mars e në prill. Vetëm dy javët e para të prillit janë 85 % më shumë se janari apo shkurt. Dhe nuk është fjala për shfletime, por përdorues unik, biznese dhe individë, që e kanë përdorur një apo më shumë herë gjatë çdo periudhe që ilustrohet duke u qasur me username dhe password.

Rritja e ndjeshme e përdorimit të platformës eAlbania ka ardhur kryesisht nga rritja e përdorimit prej individëve.

Rritja e përdorimit prej individëve ka ndodhur nëpërmjet përdorimit të shtuar të teknologjisë mobile siç ilustrohet grafikisht në vijim. Mund të thuhet se ky përdorim ka ardhur nga halli sepse është dashur marrje  e lejes për të lëvizur. Për mua pak rëndësi ka se nga ka lindur nevoja.

Thelbësore është se ekzistoka mjedisi dhe kultura që këto zgjidhje të përqafohen shpejt, fillimisht edhe me pahir, në vijim me sa më shumë dëshirë. Deri tani zhvillimet janë nxitur nga rritja e ofertës, por në të ardhmen zhvillimet duhet ti nxisë rritja e kërkesës.

Ndërsa përdorimi i eAlbania  në mënyrë tradicionale me desktop është pak a shumë në të njëjtat nivele.

Dixhitalizimi i shërbimeve

Edhe pa filluar pëshpëritjet rreth një virusi të panjohur në Kinë, që në fillim të vitit 2020 Edi Rama e shpalli vitin 2020 si vitin e dixhitalizimit masiv të shërbimeve publike për qytetarët dhe sipërmarrjet. Ky ishte edhe një nga 7 prioritet e qeverisë deri në qershor 2021 që Edi Rama shpalli në 25 nëntor 2019.

Megjithë çfarë është arritur qoftë në sektorin publik e qoftë në jetën private ekonomike e sociale deri më tani na rezultoi e pamjaftueshme.

Të gjithë u gjendëm në boshllëk dhe filluam të shprehim dëshira, hera herës edhe të çmendura, sikur të kishim patur online këtë apo atë, dhe pastaj edhe këtë tjetrën. Por konstatuam edhe prapambetje, mungesa, etj., sidomos në sektorin privat, dhe më dukshëm në sistemin bankar që duhet të ishte pararojë e invovacionit.

Vetë radhët e gjata para bankave këto ditë (që janë edhe lajm i mirë se paskemi qarkullim monetar legal) tregojnë ka shumë për të bërë për e-making, mobile banking, e-commerce etj.

Apo mungesa e contactless debit cards që do t’i bënte shumë më të shpejta blerjet në dyqanet e ushqimeve në kushtet e kohës së kufizuar dhe evitimit të distancës së afërt me njëri tjetrin. Sistemi bankar u “zgjua” pas 6 javës epidemi për të zgjeruar përdorimin e këtyre kartave, por realiteti në Tiranë tregon se jo të gjithë POS (point of sale) në përdorim të shitësve të ndryshëm e kanë vetinë të lexojnë këto karta.

Edhe në këto 6 javë të bashkëjetesës me COVID 19, sektori publik është treguar më agresiv dhe më i shpejtë se sektori privat.

Arritjet e prekshme të këtyre javëve të fundit nuk janë rastësi. Janë rikthimi i rreth 50 milion eurove të investuara nga qeveria shqiptare në Teknologji Informacioni dhe Komunikimi në 6,5 vitet e fundit. Janë tregues që këto investime ia paskan vlejtur, madje investime që na rezultuan më efiktivet midis të gjithë invetimeve të bërë në 6,5 vjet, për këtë situatë botërisht të papritur e të panjohur. Edhe ndërtimi i gjithçkaje rreth GG (government gateway) rezulton të ketë qenë një zgjedhje e mençur.

Por edhe kësaj here u rikonstuan boshllëqe që u panë edhe në krizën e tërmetit të 26 nëntorit. Dhe që nuk pranohet më asnjë justifikim.

Jemi tejet tw vonuar nw adresat numerike dhe përditësimin e vendbanimit, qoftë në procedurë, qoftë në teknologji.

Një zotwri nga Elbasani para një jave ankohej se sistemi nuk i miratonte lejet për të dalë nga shtëpia pasi, sipas sistemit, një tjetër anëtar i familjes kishte marrë leje për atë ditë. Burri befasohej, por sistemi kishte “të drejtë”. Në atë ditë kishte marrë leje edhe djali i zotwrisw nga Elbasani që jeton e punon në Tiranë, por në regjistrin e Gjendjes Civile rezulton me prindët në Fier. Duhet të shfrytëzohet kjo periudhë e lëvizjeve të kufizuara kur në oraret e mbrëmjes të gjithë janë në shtëpi që skuadra të caktuara në lëvizin nëpër vendbanime për të përditësuar adresarin.

Pandemia e COVID 19 duhet të na bëjë që të tregohemi shumë ambiciozë dhe agresivë që të zgjerojmë sa më shumë përdorimin në jetën tonë të përditshme të Teknologjisë sëIinformacionit dhe Komunikimit.

Është momenti më oportun që ëndrrave tona t’i vëmë një afat optimal realizimi, t’i bashkëngjisim një buxhet realist dhe të ecim me vendosmëri përpara.

Mund të duken shpenzime të parakohshme, por besoj se me këtë qasje e cila bëhet njwherazi e arritshme nga Vermoshi në Konispol, nga Shëngjini në Kala të Dodës dhe nga Karavastaja në liqenin e Prespës ne e shtojmë kohezionin në shoqërinë tonë, i zbusim hendeqet sociale e ekonomike, i bëjmë të kapërcyeshme lehtë barrierat gjeografike dhe kulturore.

I japim më shumë liri e frymëmarrje inovacionit.

Besoj se kam mirëkuptimin e shumicës dërrmuese të opinionit se qoftë hekurudha Tiranë – Durrës, qoftë aeroporti i Vlorës, qoftë fermat e energjisë diellore mund të presin edhe një vit (aq më shumë që konjuktura botërore nuk është e favorshme për investime në turizëm, transport e energji).

As mospëlqimi i gjerë publik për partneritetin publik-privat nuk duhet të na bëjë të hezitojmë që të gjejmë instrumenta financiarë për të mbështetur zhvillimet e shpejta të TIK.

Përdorimi i TIK në këtë fazë të kontrollit shëndetësor dhe ekonomik të pandemisë  mund të sjellë përdorimin e disa zgjedhjeve të domosdoshme që nesër mund të përdoren edhe më gjerë.

Se cilat do të jenë zgjidhjet më para nuk është moment për t’u zgjatur këtu. Megjithatë disa sugjerime po i radhis.

Kujdes shëndetësor

Më e thjeshta, më e shpejta për t’u realizuar. Të gjithë ne kemi një familje. Shumica jonë e shëndetshme nuk e dimë kush është. Por në këtë kohë pandemie është shumë i nevojshëm. Në seksion e eAlbania të kujdesit shëndetësor të shtohet edhe një funksionalitet që të dalë direkt edhe mjeku i familjes dhe numri i tij i telefonit. Mjafton ID number, me të cilin qasemi në eAlbania.

E gjithë bota po rend pas përdorimit të TIK në gjurmimin e kontakteve (contact tracing) në kontrollin e përhapjes së Pandemisë. Nuk duhet të ngutemi, as të mitizojmë.

Së pari në modelin që mund zgjedhim të zbatojmë. Contact tracing duhet të jetë pjesë e një zgjidhje sa më të plotë. U përdor me sukses në disa vende të lindjes së largët për të sheshuar kurbën në fazën e parë. Atë fazë ne po e kalojmë pa kolapsuar edhe pa këto mjete teknologjike.

Na duhet ai lloj contact tracing, me të cilin do të jetojmë edhe 6-8 muajt e ardshëm. Së dyti në teknologjinë që do të përdorim. Lypet të jemi sa më afër edhe  zgjidhjeve të vendeve fqinjë europianë dhe ballkanikë, sepse do të duhet ta përdorim kur të rifillojë lëvizja ndërkombëtare.

Dhe me këta vende do të nisim lëvizjen ndërkombëtare. Për vendet e EU, Komisioni Europian ka nxjerrë një dokument kuadër në datën 15 prill. Me Ballkanin Perendimor duhet të koordinohemi brenda bashkëpunimit WB6 që as mini-Schengeni ballkanik të mos venitet.

Për më tepër mendoj se ia vlen të presim edhe pak javë sa Apple+Google të bëjnë publike API-t e dedikuar për contact tracing me të cilët do të zhvillojmë apps sipas nevojave dhe kushteve tona.

Ndërkohë mund të bëjmë një zgjidhje të ndërmjetme. Mund të zhvillohet një app që instalohet vullnetarisht vetëm në smartphone të përdoruesit, që regjistron vetëm për x ditët (10 apo 14) e fundit lëvizjet e pajisjes dhe që në rast se përdoruesi i atij telefoni mobil rezulton i dyshuar apo pozitv me virus është i lutur që po vullnetarisht të ndajë me autoritetet e shëndetit publik informacion që ka në telefonin e tij.

Bashkëjetesa me COVID 19 kërkon respektimin e distancës fizike. Por kur vjen momenti të kujdesi shëndetësor afërsia fizike është e domosdoshme dhe pjesërisht e pazëvendësueshme. Le ta sigurojmë respektimin e distancës fizike aty ku është e mundur. Receta elektronike dhe nënshkrimi elektronik të shtrihet tek çdo mjek, në institucion publik/privat të kujdesit shëndetëtsor apo në praktikën e lirë individuale të mjekut. Po ashtu edhe vizita, referimi, ekzaminimi dhe nënshkrimi elektronik. Ky i fundit edhe me teknologji mobile.

Ndërkohë duhet të zgjerojmë përthithjen sa më të shpejtë të çdo indicie për dyshime të prekjes nga sëmundja. Edhe simptoma të tërthorta. Prandaj duhet vënë në punë me patjetër sistemi “i fjetur” i regjistrave të sëmundjeve.

Çdo mjek, çdo klinikë, çdo qendër ekzaminimi duhet të dërgojë në moment çdo të dhënë të dyshimtë, nëpërmjet regjistarve të sëmundjeve, te autoritetet e shëndetit publik.

Banking

Në dhjetor 2019, kur filloi mbledhja e ndihmave financiare për pasojat e tërmetit, rezultoi se vetëm tre banka tregtare në Shqipëri kishin liçensë për e-commerce. Njëra e kishte përdorur edhe më parë, njëra fare, ndërsa e treta e kishte përdorur vetëm për arkëtime të detyrimeve të energjisë elektrike. Ka ardhur momenti që, të themi prej 1 janar 2021, çdo bankë tregtare të fillojë të aplikojë për liçensën e e-commerce dhe prej 1 janar 2022 ky shërbim të jetë universal në sistemin bankar shqiptar.

Të zerohen edhe tarifat e përdorimit të e-banking dhe le të shtohen tarifat për paraqitje në sportel. Le të ketë një tarifë të veçantë vetëm për kalimin e pragut të derës së bankës, përveç tarifave sipas shërbimeve respektive.

Njëherazi me përdorimin masiv të TIK për t’u mbrojtur nga viruset biologjike duhet të mbrojmë “shpinën” edhe nga viruset kompjuterike.

Brenda 2020 eAlbania duhet të rrisë kapacitetet e veta teknologjike sepse qendra e sistemit nuk është projektuar për volumin dhe dendurinë shumë të madhe të transaksioneve, duhet me patjetër të ketë një Disaster Recovery Site funksionale në kuptimin e plotë të fjalës. Duhet të investojmë qoftë në cybersecurity, qoftë në data protection.

Jeta e re virtuale kërkon edhe rregulla të reja bashkëjetese virtuale. Kemi edhe një mundësi të artë për të investuar në data economy. Sa më shumë nga të dhënat që administrohen le t’i bëjmë open data.

Universaliteti

Ambicja për përdorim masiv, madje të domosodoshëm, pra edhe jetik do ta bëjë aksesin në TIK një nevojë thelbësore. Kështu që duhet të shndërrohet një të drejtë  universal e cila do të lypet të garantohet sipas nevojës dhe jo thjesh të ofrohet sipas mundësive.

Në periudhën që po analizojmë duke ilustruar grafikisht vihen re disa hendeqe. Kam mundur të gjej të dhëna për hendeqe gjinore dhe moshore.

Në dy muajt e parë të 2020, midis individëve që kanë llogari aktive në eAlbania 40 % janë gra. Në dy javët e para të prillit hendeku prej 20 pikë përqindje është ngushtuar në 12 %.

Ndërsa diferencat moshore paraqiten të ilustruara në grafikun në vijim.

Vihet re që moshat më të reja e kanë rritur më shumë përdorimin e eAlbania. Madje nën 20 vjeçarët janë rritur me herë që mund të na çojë në hipotezën se i shërbejnë të gjithë familjes. Ndërsa për 70 vjeçarët e sipër nuk ka ndonjë ndryshim. Përdoruesit më të shumtë rezultojnë në grupmoshën 20 – 29 vjeç dhe 30-39 vjeç. Vetëm në dy javët e parë të muajit prill 18 % e të gjithë njerzve që jetojnë në Shqipëri kanë përdorur me identifikim unik platformën eAlbania.

Në Shqipëri ka ende mungesa bazike për disa shërbime jetike. Nuk ka ujë të pijshëm 24 orë në çdo familje. Nuk ka impiant të pastrimit të ujrave të përdorur në çdo fshat.

Do të duhen ende ca vite sa t’i garantojmë në çdo banesë. Por në TIK le të bëjmë kërcimin e madh. Prej 1 janar 2022 ti garantojmë çdo familje shqiptare shërbimin e internetit, sipas statusit ekonomik të çdo familje.

Pwr shembull kushdo familje që merr një bonus për kompensim të faturës mujore të energjisë elektirke t’i garantohet 1 mijë lek (kjo shifër është apriori sa për të çelur diskutimin) në muaj për të rimbursuar ofruesin e shërbimit të internetit. Duhet menduar një zgjidhje edhe për pajisjen. Siç u dhamë disa shtresave sociale falas dekoderin për sinjalin dixhital televiziv, duhet t’u garantojmë edhe mjetin për të lundruar në internet.