Nga Rexhep Qosja/ Emisioni “Fshatrat e Shqipërisë” i televizionit Top Channel, shumë i rëndësishëm që për Shqipërinë e për shqiptarët të mësohet edhe çka s’ dihet sa duhet e ndoshta as si duhet, më nxiti sot të them edhe atë që e kam shkruar para disa vitesh. Evropa ka shumë e shumëçka që s’e kanë pasur kurrë dhe as nuk e kanë sot shqiptarët. Por, shqiptarët kanë pasur dhe kanë diçka që Evropa s’e ka pasur kurrë dhe s’e ka as sot.

Evropa ka pasur dhe ka mirëqenie të madhe lëndore e kulturore. Por, shqiptarët kanë pasur e kanë dy madhështi të jashtëzakonshme shpirtërore: kanë dy familje të mëdha që vunë themelet e dy shteteve të tyre të sotme. Shqiptarët kanë familjen madhështore të Frashëriotëve. Kanë: Abdyl Frashërin – diplomatin dhe shtetarin e madh, që me diplomacinë dhe me politikën e tij shtetare bëri Shqipërinë e ardhshme. Naim Frashërin – vëllanë e tij, poetin e madh kombëtar, që bëri veprën e madhe poetike e historike të Kombit shqiptar e të Shqipërisë së sotme e të ardhshme. Sami Frashërin – vëllanë e Abdylit e Naimit, ideologun e madh kombëtar, i cili bëri programin kombëtar sipas të cilit u ndërtua Shqipëria, shteti i ardhshëm kombëtar shqiptar.

Evropa ka shumë e shumëçka që s’e kanë pasur kurrë dhe s’e kanë ende shqiptarët, por shqiptarët kanë familjen e madhe, historike të Jasharajve: kanë kryefamiljarin e madh Shaban Jasharin dhe të bijtë e tij, heronjtë e lavdishëm, Adem dhe Hamëz Jasharin me anëtarët e familjeve të tyre.

Evropa ka pasur e ka shumëçka që s’e kanë pasur shqiptarët, por shqiptarët, ja, kanë dy familje të mëdha që me emrat e tyre, me sakrificat e tyre madhështore, me etikën e tyre vunë themelet e shtetit të tyre: familjen e Frashëriotëve me tre bijtë e saj: Abdylin, Naimin e Samiun dhe familjen e Jasharajve që me sakrificën e lavdishme, heroike të të gjithë anëtarëve të saj me të rinj e të vjetër, me të vegjël e të mëdhenj – të kryefamiljarit, të bijve, të bijave, të grave, të nipërve e të mbesave e vunë jetën në themelet e shtetit të ardhshëm të Kosovës, në të vërtetë të Kosovës së bashkuar me Shqipërinë.

Shqiptarët s’kanë pasur e s’kanë ende shumëçka që jetën e evropianëve e bën të pasur, të mirëqenë; por shqiptarët kanë diçka që s’e ka pasur dhe s’e ka Evropa e madhe e cila aq përparim i ka sjellë njerëzimit me mendjen e saj: s’e ka madhështinë e dy familjeve shqiptare të cilat me sakrificat e tyre të lavdishme vunë themelet shpirtërore, ideologjike, morale, kombëtare të Kombit të tyre siç janë Frashëriotët dhe Jasharajt. Evropa, pra, ka shumë e shumëçka që e bën të dalluar në krejt Botën, por Evropa nuk ka pasur kurrë e nuk ka as sot tre vëllezër siç ishin e janë Abdyl, Naim e Sami Frashëri, të cilët idealin e tyre madhështor “të bëjmë shqiptarin e të bëjmë Shqipërinë” e bënë njëmendësi. Evropa, pra, ka shumë e shumëçka që e bën të dalluar në krejt Botën, por Evropa nuk e ka pasur kurrë dhe nuk e ka as sot një familje të madhe historike që për Kombin e vet u sakrifikua njëkohësisht, njëherësh, aq vendosmërisht, aq etikisht, aq madhërishëm siç u sakrifikuan Adem dhe Hamëz Jashari me familjen e tyre

Kjo është e veçanta e madhe, e lavdishme, madhështore me të cilën shqiptarët bëhen të veçantë me historinë e të veçantë me dinjitetin në historinë e përbashkët evropiane.