Për sezonin e ardhshën, Antonio Conte do të provojë që të ndërtojë një Inter edhe më të fortë, teksa u ka bërë kërkesë drejtuesve Marotta dhe Ausilio për fuqizim të organikës aktuale, duke shtuar jo lojtarë “baste”, por me përvojë dhe të pjekur. Duke qenë se më shumë mundësi Biraghi do të kthehet në Firence pas huazimit dhe Asamoah përgatitet të japë lamtumirë, Young pritet të qëndrojë dhe firmosë rinovimin. Ndërkohë, objektivi kryesor mbetet një lojtar që Conte njeh mjaft mirë: Emerson Palmieri i Chelseat.
Në gjashtë muaj te blutë, trajneri i Interit e ka stërvitur dhe ia njeh potencialin dhe kapacitetin. Emerson ka humbur vendin e titullarit te londinezët, teksa e ka zënë atë pozicion Marcos Alonso. Por, klubi i Abramovich kërkon 30 mln euro dhe është edhe konkurrenca e Juventusit. Nuk duket një pistë e lehtë, edhe pse Beppe Marotta do të provojë.