Doktori shqiptaro-amerikan, Philip Çaushaj, profesor kirurgjie, drejtor i kërkimeve kirurgjikale në Universitetin e Konektikatit në Harford të SHBA-së dhe pjesë e stafit “critical care” në spitalin ku kontribuon, i cili gëzon me plot të drejtë edhe një medalje si Nder i Kombit, ishte sonte në një lidhje të drejtpërdrejtë me “Dtari” në A2.
Sipas tij, ky virus prek të rinj dhe të moshuar, kështu që të gjithë duhet të tregojmë kujdes. Gjithashtu, ai e konsideroi tragjedi që Amerika u gjet e papërgatitur për këtë situatë.
“Në spital kanë ardhur të rinj dhe të moshuar në gjendje shumë të rëndë. Është tragjedi që në kombin më të pasur të botës të mos ketë testime për të gjithë popullin dhe që të ketë njerëz aq të varfër sa të mos vizitohen dot te doktori”, tha Çaushaj.
“Nuk e kam parë kurrë në jetën time këtë situatë dhe shpresoj që mos ta shikoj prapë”, shtoi doktori shqiptaro-amerikan.
Në fund, ai bëri një thirrje për të gjithë shqiptarët: “Ne jemi një popull trim, por sot trimëria është që të qëndrosh në shtëpi”.