Motra e udhëheqësit koreano-verior Kim Jong Un ka qenë së fundmi në qendër të vëmendjes prej raportimeve se lideri suprem ka vdekur ose është shumë sëmurë.Mungesa e tij nga ceremonitë publike ka shtuar spekulimet në komunitetin ndërkombëtar për shëndetin e tij, ndërsa së fundmi raportohet gjithashtu se e motra ka marrë një ngritje të rëndësishme në detyrë.
Prezantuesja e rrjetit koreano-jugor Arirang News, Jennifer Moon tha: “Motra e fuqishme e udhëheqësit verior Kim Jong-un ka qenë vazhdimisht në krah të të vëllait duke u kujdesur për marrëveshje e protokolle të rëndësishme. Por tashmë duket se Kim Yo-jong ka marrë një ngritje madhore në detyrë, duke u bërë një nga dhjetë njerëzit më të fuqishëm në elitën e Penianit”.
Gazetari Sooyoung Oh tha : “Motra e Kim Jong-un tashmë duket se është personi i nëntë më i fuqishëm në vend. Ajo ulet katër karrige majtas liderit, ndërsa ishte në radhën e parë në përvjetorin e vdekjes së gjyshit të tyre, themelues i Koresë së Veriut, Kim Eun Seong.”
Ndërkohë zyrtarët në Seul nuk dallonin ndryshime të pazakonte në Korenë e Veriut, dhe të njëjtin mendim kishin dhe rezidentët e huaj në Penian.
Lim Hee-joo, një dezertuese që është tashmë pronare restoranti në Seul, tha se asnjë në Korenë e Veriut nuk e ka idenë për shëndetin apo se ku ndodhet Kim Jong Un.
“Askush nuk di gjë, as në komitetin qendror të partisë së punës. Ata janë të tmerruar madje të mendojnë për gjëra të tilla, sepse mund të arrestohen”. Koreano-veriorët e dinë se mund të përballen me dënim nëse diskutojnë çështje të familjes së Kim.