Nga Eduard Zaloshnja
Nga një krahasim i thjeshtë në Worldometers.info, Shqipëria rezulton e teta në Ballkan për numrin e vdekjeve për milion banorë nga COVID-19. Por renditja në Worldometers.info nuk faktorizon moshën mediane të popullsisë së secilit vend. Në fakt, sa më e madhe të jetë mosha mediane e një vendi, aq më e madhe është vdekshmëria nga COVID-19. Nëse e faktorizojmë moshën mediane të popullsisë, Shqipëria renditet e shtata për vdekjet (para Kroacisë, e cila ka një popullsi më të plakur se Shqipëria).
Por a mund t’u besojmë shifrave zyrtare shqiptare për vdekjet nga COVID-19? Sipas disa figurave kryesore të opozitës, jo. Ata pretendojnë se numri i të vdekurve është 2 herë më i madh se sa deklarohet nga ISHP-ja. Por edhe sikur Shqipëria të kishte vërtet dyfishin e vdekjeve nga COVID-19, ajo do të renditej e katërta në Ballkan (pas Sllovenisë, Maqedonisë dhe Rumanisë) dhe shumë, shumë larg Spanjës, e cila është aktualisht e para në botë për vdekjet për milion banorë nga COVID-19.
Para se të investigojnë të vdekurit nëpër agjensitë funerale (nëse kanë vdekur nga COVID-19 apo jo), drejtuesit kryesorë të opozitës duhet të dalin në terren e të hulumtojnë se sa biznese të vogla e të mesme mund “të vdesin” nga pandemia. Sepse jetët që po merr COVID-19, sado të shtrenjta, janë të pakta në krahasim me Ballkanin e botën, ndërsa shqiptarët që mund të mbeten pa punë prej tij ndoshta do të jenë tejet të shumtë…