Efektivët e Forcave të Armatosura janë të angazhuar çdo ditë të javës në garantimin e zbatimit të masave të marra për periudhën e pandemisë së Covid-19.
Në shenjë mirënjohje për punën e tyre, Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka postuar një video, ku përcillen momente nga puna në terren i burrave dhe grave nën uniformë.
“Mirënjohjen më të thellë për çdo burrë e grua në uniformë që sot janë të angazhuar 24/7, duke u ardhur në ndihmë njerëzve më në nevojë dhe duke siguruar respektimin e masave kundër COVID-19, në këmbim të kohës pranë familjeve e fëmijëve të tyre në këto kohë të vështira. Me respektin më të madh. Krenari për FA”, – shprehet ministrja Xhaçka.
Major Bledar Bimaj, pjesë e Policisë Ushtarake shprehet se në pjesën më të madhe të kohës ka qenë në terren në Tiranë, ku kanë qenë edhe pikat e kontrollit dhe patrullimit.
“Është e bukur dhe një shprehje që më ka thënë një efektiv i kompanisë që unë drejtoj: “Komandant, më vjen mirë që paskemi ditur të zgjedhim dhe bashkëshorten, njeriun e jetës sonë.
Ato janë personat që kujdesen për familjen”. Kur shkojmë në shtëpi, kalamajtë mezi në presin, duan të na hidhen në krahë. Ai është momenti më i bukur, por gjithsesi ne mundohemi që të futemi këmbadoras dhe fshehtas, por kalamajtë vijnë e na thonë, erdhi Spiderman”, – tregon Major Bimaj.
Rreshter Festim Harizi, pjesë e batalionit të mbështetjes rajonale, prej 12 vitesh është pjesë e FA, por thotë se ky është një nga misionet më të vështira.
“Jam komandant skuadre në togën ujore. Kam marrë pjesë në shumë raste fatkeqësish, por kjo është shumë më e vështirë sesa ato që kemi kryer deri tani, realisht”, – shprehet rreshter Harizi.
Pjesë e këtij operacioni janë edhe gratë ushtarake. Togere Eriselda Shema, pjesë e Focës Ajrore vlerëson rolin e grave ushtarake.
“Besoj se te gjithsecili prej nesh ka ndikuar pandemia, por besoj se është më e rëndë, më e vështirë për pjesën e familjarëve pasi duam apo jo gjithë ngarkesa, emocionet, gjithçka që përjetojmë gjatë ditës transmetohet në shtëpi, edhe pse pjesën më të madhe tentojmë ta lëmë në punë, por gjithësesi nuk i shmangesh dot. Gratë ushtarake simbolizojnë forcën dhe butësinë në të njëjtën kohë”, – shprehet togere Shema.