Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shprehet se situata në spitalet tona për shkak të covid-19 është nën kontroll dhe kurba epidemiologjike e infeksionit tashmë është e rrafshët. “Situata është nën kontroll por nuk mund të shfaqemi optimist për të thënë që është një situatë që shpejt do të përfundojë. Ne jemi të fokusuar të dinamika dhe rastet ditore. Ato shifra nuk janë thjesht disa numra, por një punë e gjerë për të gjurmuar të gjitha rastet dhe për të ndërprerë zinxhirin e infeksionit”, është shprehur ministrja Manastirliu në një intervistë për Eni Vasilin.
Më tej, ministrja ka thënë se falë masave të qeverisë është arritur që kurba e infeksioneve të mbahet nën kontroll dhe të ndalohet shpërndarja e infeksionit.“Situata në spitale refelektion kurbën epidemiologjike. Një kurbë e rrafshët. Me masat që ka marrë qeveria kemi një reflektim të kurbës epidemiologjike. Situata është inkurajuese, kemi vetëm 14% të kapaciteteve spitalore të zëna. Aktualisht mund të them se kemi arritur në një kurbë të qëndrueshme. Qëllimi ynë është të mos kemi shpërndarje të infeksionit”, ka shtuar ajo.
Lidhur me zgjerimin e fashës orare nga ora 05.00 deri në orën 17.30, Manastirliu tha se ekspertët kanë vlerësuar lehtësimin e orareve për të shmangur rradhët dhe jo që qyetarët të dalin dhe të relaksohen.“Zgjerimi i fashës orare ka pasur për qëllim racionalizimin e lëvizjeve për të mos shkaktuar rradhët në disa institucione financiare dhe farmacitë. Fasha orare është bërë pikërisht për këtë, jo për të relaksuar qytetarët dhe për tju thënë që hajde dilni ju tani se e kaluam këtë”, përmbylli ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu.