Nga Eduart Gjokutaj
Epidemia aktuale e koronavirusit po nxjerr në pah dobësitë dhe cënueshmërinë e sistemit tonë shëndetësor, ekonomik dhe politik. Midis gjithë kësaj situate kaotike me objekt jetën e njeriut është befasuese të kuptosh që debatet politike kanë lënë në hije aspektet e rrezikut dhe të pasigurisë së vendimmarrjes publike, si dhe të dobësive të vetë sistemit.
Një ngrirje e gjerë e ekonomisë në këto përmasa, që po dëmton imunitetin e ekonomisë dhe të ardhurat e njerëzve është territor i ri për politikë-bërësit. Një vijimësi e izolimit tonë brenda shtëpive do të krijojë padyshim probleme likujditeti. Por, në kushtet e ekonomisë shqiptare, që bazohet në 46 përqind të saj te shërbimet, cenimi nga efekti i vetë izolimit prej pandemisë është më direkt. Mbyllja në vijimësi e ekonomisë mund të diktojë prag falimente, papunësi, dhe nevojë të ngutshme për kreditim. Në këtë moment duhet të mos lejohet të ndodhë pasi kjo situatë edhe nëse nuk ngjan me krizën do të krijojë probleme të mëdha që nuk janë përjetuar më parë.
Nëse u referohemi vendeve të tjera, për të parë si mund ta përballojnë ata të njëjtën fatkeqësi shikohet, se vendet do të kenë përvoja në mënyra të ndryshme pasi gjithshka varet nga rezistenca strukturore e ekonomive për të përballuar tronditje të tilla, si dhe aftësia e sistemit shëndetësor dhe vendimmarrja e politikanëve për t’iu përgjigjur në mënyra të reja kësaj sfide të paparë.
Qeveria dhe politikanët do të duhet të frymëzojnë besimin e publikut për të lehtësuar rikuperimin. Ndërtimi i besimit do të kërkojë një ekuilibër delikat midis lidershipit të fortë dhe përulësisë para njerëzve, duke pranuar se po mësojnë, ndërsa përparojmë ndaj luftimit të virusit.
Mjekë dhe ekspertë me ndikim në publik duke u shfaqur modestisht me njohuritë e tyre në media dhe komunikime në rrjetet sociale mund të kontribuojnë në rikrijimin e një besimi të tillë. Analistët dhe të ngjashmit e tyre duhet të fillojnë një karantinë sociale të gjatë dhe nëse nuk zbatohet nga ta duhet të penalizohen pa mëdyshje nga izolimi social dhe neveria sociale.
Sot, solidariteti me pacientët dhe punonjësit e shëndetësisë është njëkohësisht etik dhe logjik.
Por solidariteti në mënyrë të ngjashme duhet të synojë edhe ekonominë tonë të brishtë. Kjo kohë që sa më tej po zgjat është duke pakësuar burimet financiare të buxhetit të shtetit, por edhe të sektorit privat kërkon një reagim. Aktualisht, egziston reagimi alla amerikan, ku për secilin punonjës që nuk punon i jepet direkt çeku me para për të përballuar shpenzimet dhe reagimi alla europian, ku ndihmat janë në formën e kreditimit të bizneseve dhe një kategorie me të prekur nga stilimi i ekonomisë. Stili amerikan është i lehtë për t’u zbatuar, por edhe i rëndë për “stomakun” e vendit, si dhe i padrejtë. Mbi të gjitha kjo qasje nuk mund të ndihmojë në stimulimin e një ekonomie në kushtet e mbylljes.
Megjithë se përmendim modelet ato nuk mund të përdoren apriori direkt ashtu si i shikojmë në ekonominë dhe tregun shqiptar.
Ekonomia shqiptare nuk merr shumë vëmendje në raport me ekonominë globale, kryesisht sepse është e vogël dhe pak e integruar me ekonominë botërore. E mira e kësaj është se ndalimi i punës për pak kohe nuk i prish pune zinxhirit të qarkullimit të tregjeve të huaja, pasi shqiptarët nuk janë kontraktore aq të rëndësishëm, qe te ndikojnë ne bllokimin e zinxhirit të furnizimit te prodhimit botëror. Por, edhe nëse janë disa prej tyre, ata nuk përbëjnë problem qe nuk rikuperohet. Ky është pozicionimi i ekonomisë shqiptare ne tregun global.
Nisur nga këto rrethana gjatë krizës financiare globale të mbi 10 viteve më parë, por dhe në vijim, ekonomia qëndroi pothuajse e pa ndikuar nga efektet e jashtme, pasi ajo kryesisht u mbështet nga ndihmat e huaja, remitancat, por edhe informaliteti që ushqyen ndër të tjera edhe ekonominë formale duke konsumuar mallra dhe shërbime. Ky model ekonomie vazhdoi të rrjedhë i pandërprerë. Edhe në periudhën pas krizës globale, luhatjet dhe tronditjet në tregjet globale të naftës dhe mineraleve nuk ndikuan ndjeshëm në ekonominë e vendit.
Sidoqoftë, rasti i COVID-19 është i ndryshëm dhe është orteku që u nis papritur për të goditur ekonominë globale ku përfshihet modestisht edhe ekonomia shqiptare. Shoku i paprecedent prej Covid-19 ka krijuar tashmë stres në tregjet e kapitalit në vendet e zhvilluara, duke shkaktuar një reagim të fuqishëm nga bankat qendrore. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në Shqipëri, pavarësisht se ka karakteristika të ndryshme nga këto tregje.
Fati jonë i keq, që nuk kemi treg kapitali për këtë rast është i mirë. Edhe pse aktualisht ka një humbje të fuqisë blerëse, kriza që ka diktuar pandemia do të kufizohet në një krizë të likuiditetit, duke shmangur problemet e rënda të falimentimit dhe rënien e bursave si në vendet e zhvilluara.
Bizneset e vogla, të cilat janë të kufizuara në aktivitetin e tyre, si dhe më të shtrënguara për kredi marrje janë shumë të varura nga mbështetja e buxhetit dhe fondeve të tjera ndihmëse bashkë me masa lehtësuese dhe pagesa të shtyra në kohë. Mbijetesa e tyre pas 1 muaji mbyllje është futur në zonën e rrezikut. Dyqanxhinjtë, zejtarët, restorantet dhe hotelet, industria e argëtimit dhe shumë të tjera nuk kanë më shumë se 1-3 muaj rezerva financiare. Shumica e bizneseve kanë inventarë dhe para të mjaftueshme për të mbijetuar për tre deri në gjashtë muaj. Nëse problemet e likuiditetit vazhdojnë dhe problemet e ekonomisë reale çojnë në ulje të mëtejshme të aktiviteteve mund të lindin probleme të nevojës për kapitale. Bankat gjithashtu do të përballen me probleme të likuiditetit në një moment të ardhëm, nëse shërbimet vijojnë të jenë të mbyllura.
Megjithatë shpresa e ringjalljes egziston, pasi sa herë që sipërmarrësit gjenden në vështirësi ata gjejnë edhe mënyrat që të përshtaten dhe rikthehen përsëri në treg. Edhe pse, tronditja prej bllokimit të aktivitetit tregtar është shumë më e rëndë se sa në bllokime të mëparshme, rruga e daljes megjithëse do të jetë e pasigurt do të gjejë përsëri konsumatorët, me një ritëm rifillimi dhe me protokolle te reja dhe të ndërlikuara të mbrojtjes së shëndetit.
Rikthimi në normalitet nga fundi i Prillit dhe fillimi i Majit, me gjasa mund të bëhet realitet edhe pse distancat e sigurisë të zbatuara këtë muaj pritet të jenë një risi sociale. Ndoshta gjithë shërbimet e hapura për publikun do vijojnë në këtë mënyrë gjithë verën e vjeshtën bashkë. Por, puna nga ambjente të mbyllura, si shtëpia do të fillojnë të duken mjaft në modë dhe ndoshta dhe puna do të ketë orare më elastike se deri më sot.
Në planin afatgjatë bizneset që do të mbijetojnë do të duhet të operojnë në një mjedis të ri, ku kriza dhe reagimi ndaj saj do ta përshpejtojnë nevojën për (a) një adoptim të menjëhershëm të teknologjive të reja, (b) një tërheqje të pashmangshme drejt zinxhirit të furnizimit ndryshe nga përpara, si dhe (c) një rritje të re të politikës stimuluese të oligopoleve, në vend të prirjeve monopoliste.