Në verën e 2006-ës Guardiola është një lojtar pa kontratë. Juan Manuel Lilo, trajneri i Dorados, i kërkon Abreut ta bindë spanjollin të transferohet në Meksikë. “El Loco” e mashtron për gjithçka dhe në fund ia del që të rekrutojë Pepin për të luajtur 10 ndeshjet e tij të fundit në karrierë.

Numrat zakonisht nuk gënjejnë, por në këtë rast ndoshta po. Sepse një eksperiencë prej vetëm 5 muajsh, 10 ndeshjesh, 793 minutash në fushë dhe 1 goli mund të përmbledhin shumë më shumë se sa një shikim i shpejtë i statistikave mund të tregojë.

Për të kuptuar rëndësinë e shtegtimit të Pep Guardiolës në Ligën meksikane duhet të kthehemi disa vite pas, më 1 shtator 1996. Në “Carlos Tartiere” të Oviedos Barcelona e trajnerit Bobi Robson sapo ka mundur 4-2 një Real Oviedo shumë luftarak dhe imponues. Është java e parë e një sezoni që të gjithë do ta kujtojnë për 34 golat e Ronaldos, në stolin e skuadrës asturiane është një trajner 30-vjeçar, i cili quhet Juan Manuel Lilo, është bask dhe stërvit në nivelin profesionist prej 5 vitesh.

Lilo vjen pas shkarkimit nga Salamanka, një klub që në 4 vjet e kishte ngjitur nga Seria C spanjolle në Primera Division. Në portën e dhomave të zhveshjes pas ndeshjes troket Pep Guardiola, i cili si kundërshtar e komplimenton për mënyrën e lojës dhe i propozon se do të flasë sërish me të. Lilo befasohet dhe në atë moment nuk e imagjinon se 7 vite më pas do të jetë një nga kandidatët për t’u ulur në stolin e Barcelonës.

Në zgjedhjet presidenciale të 2003-ës, në fakt, Guardiola mbështet kandidaturën e publicistit Luis Basat, edhe pse preferon të mos ekspozohet shumë në publik. E di shumë mirë se në rast fitoreje, do t’i takojë atij të jetë drejtor sportiv. Dhe si trajner të Barcelonës për sezonin 2003/2004 do të zgjidhte Lilon. Por nga shorti doli fitues Johan Laporta, i cili para fundit të mandatit të tij, do ta vendosë gjithsesi Guardiolën për t’i falur ndonjë kënaqësi.

Lilo është ndër pikat kryesore të referimit të trajnerit aktual të Mançester Sitit, një nga ideologët e lojës së futbollit. Si trajner i Almeiras, kur ndeshej me mikun e tij në La Liga, ai do të thoshte: “Barcelona e tij luan si Almeria”. Në verën e 2005-ës Guardiola, vjen pas dy vjetësh jo të mirë në Katar dhe bën 10 ditë provë te Mançester Siti, që atë kohë drejtohej Stjuart Pirs. I ofrojnë 6 muaj kontratë, por ai nuk bindet.

Juan Lilo kujtohet ndërkohë për atë çfarë i kishte thënë Guardiola: ‘nuk do ta lë futbollin e luajtur pa u stërvitur nga ty’. Në atë kohë ai ishte trajner i Dorados, klubit meksikan të themeluar në vitin 2003 dhe që sapo ishte ngjitur në elitën e futbollit meksikan. Për ta bindur plotësisht ish-numrin 4 të Barcelonës, Lilo kërkoi edhe ndihmën e sulmuesit të tij, të “çmendurit” Abreu, uruguaianit që sot është 43 vjeç dhe luan ende me fanellën e Bostonit, skuadrës së tij të 43-të.

Abreu e gënjen Guardiolën për strukturat e klubit, duke ia përshkruar ato si mjaft të mira, ndërkohë që skuadra realisht stërvitej në park dhe ndërrohej poshtë një tende të bërë me gjethe palmash. E garanton se ka edhe plazh, por në fakt plazhi i Altatas, më i afërti, është më shumë se një orë larg me makinë.

Guardiola bindet dhe në janar të 2006-ës zbarkon në Kuliakan, ku pritja nuk është shumë e zjarrtë. Vëmendja e sportdashësve në qytet është më shumë te bejsbolli, ku “Tomateros de Culiacán” është një nga skuadrat më të rëndësishme në Amerikën Latine, aktualisht kampion në fuqi në Meksikë. Për të pritur blerjen e re, natyrisht përveç Lilos, është Eliseo Martinez, i njohur me nofkën “Chevo” dhe që do të bëhet udhërrëfyesi i spanjollit. “Chevo” i zbulon Guardiolës vendet më të mira për të ngrënë. Ai do të kujdeset gjithashtu edhe për dorëzimin e zarfeve të shumta që çdo 15 ditë Guardiola mbushte me para për punonjësit më në nevojë të klubit.

Nga “Chevo” Guardiola mëson edhe shumë fakte sa i takon reputacionit të qytetit. Kuliakan, ashtu si dhe gjithë shteti i Sinaloas në Meksikë, është i njohur për kartelet e drogës, ku lidership deri pak vite më parë ishte “Chapo Guzman”. Në Sinaloa është statuja për nder të Jesus Malverde, një banditi rruge në vitet e ndërrimit të shekujve, kur ai konsiderohej “Shenjti i narkotrafikut”. Rreth figurës së tij ishte krijuar një kult midis episodeve reale dhe legjendave.

Guardiola bën shumë pyetje, do të dijë më shumë për Kuliakan, nëse është vërtet kaq i dhunshëm sa thuhet. Ai jeton në “Hotel Lucerna”, ashtu si dhe shoku i skuadrës, Angel Morales, i mbiquajtur “Matute”, me një të kaluar te Sampdoria. Kalojnë shumë kohë të dy bashkë dhe “Matutes” Guardiola i zbulon vizionin dhe idetë e tij për futbollin, për golin perfekt, që sipas tij vinte pas një aksioni të gjatë, ku topi preket nga të 11 lojtarët e skuadrës të paktën një herë.

Ato muaj ishin të veçantë për Guardiolën. Abreu tregon se spanjolli, sapo përfundonte stërvitja, vraponte për të mbajtur shënime në fletoren e tij. Pikërisht “Loco”-s Guardiola i ofron leksionin e parë për pasimin e saktë të topit dhe kontrollin e tij, duke i dhënë shembullin e Romarios: ‘Duhet vepruar kështu, kur merr topin, e mban 3 sekonda’. Diçka të tilla Guardiola është parë ta bëjë me Sterling gjatë stërvitjes. Lilo e përkufizon Pepin “projeksioni im në fushë, ndërsa Guardiola do të thoshte më pas se ai është trajneri më i mirë që ka pasur.

Jashtë fushe, Pep zë miqësi me Rodolfo Jimenez, pronarin e “Café Miró”, një bar-librari elegante në qendër të qytetit, pranë vendit ku takohen lumenjtë Tamazula dhe Huraia. Të dy vlerësojnë shumë muzikën e kantautorit katalanas Luis Laç, shkëmbejnë libra dhe Guardiola i dhuron Rodolfos “Soldati di Salamina” të Javier Cercas. Vendi tjetër i dashur i muajve meksikanë të lojtarit të Dorados, që mbante numrin 8, është restoranti “La Cocinita del Medio”. Aty spanjollin e çoi shoku i skuadrës, Lupilo Kastanjeda. Një restorant popullor, ku Pep ndihej si në shtëpi, madje ai e çonte vetë pjatën e palarë në kuzhinë. Kishte vetëm një këshillë për kuzhinierin: më pak pikante pjatat e tij.

Në fund të sezonit, Dorados zë vendin e tetë, i vlefshëm për të shkuar në “play-off”. Por rregulli në Meksikë parashikon që skuadra e vetme që bie nga kategoria vendoset nga rezultatet e 6 kampionateve të fundit, duke ndarë pikët e grumbulluara me ndeshjet e luajtura. Në këto kushte, skuadrat me pak vite në futbollin elitar meksikan nuk mund të bëjnë hapa të gabuar. Vendi i parafundit në kampionatin e 2004-ës dhe vendi i 5-të nga fundi në sezonin 2005 shtyjnë Dorados në vend të fundit dhe e “dënojnë” me rënien në kategorinë e dytë.

Guardiola nuk arrin ta besojë këtë rregull. “Është gjithçka false, në asnjë kampionat të botës nuk mund të biesh me 3 humbje. Ka skuadra që humbin gjithmonë dhe nuk bien”, – tha ai me shumë nervozizëm më 29 prill të 2006-ës, në fund të një barazimi dramatik 0-0 ndaj Pumas. Sapo ishte luajtur akti i fundit i Guardiolës si futbollist, i fundit nga ato 10.