Para se të konsideroni divorcin, na telefononi! Ky është mesazhi që një kompani në Japoni ka përshtatur për këtë periudhë izolimi, duke u sugjeruar personave të martuar që t’i ofrojnë vetes pushime në apartamentet me qira afatshkurtra të kompanisë.
Në faqen e saj të internetit, kompania “Kasoku”, një konkurente lokale e “Airbnb”, tani po promovon banesa të mobiluara si “strehimore të përkohshme” në dispozicion të atyre që duan të shpëtojnë nga familjet e tyre për njëfarë kohë, qoftë për të punuar më të qetë, qoftë për t’u qetësuar.
Japonezët nuk e kanë të ndaluar largimin nga shtëpitë e tyre, edhe pas vendosjes së gjendjes së jashtëzakonshme në disa rajone të arkipelagut një javë më parë.
Megjithatë, qeveria rekomandon fuqimisht kufizimin e udhëtimeve jothelbësore, punën online dhe ka mbyllur edhe shkollat.
“Kasoku” doli me këtë ide pasi dëgjoi për divorcet në Kinë ose Rusi pas aplikimit të masave të izolimit”, tha Kosuke Amano, një zëdhënëse e kompanisë.
Kompania ofron një tarifë mjaft të përballueshme hyrjeje prej 4 400 jenësh (37,50 euro) për një natë, me opsionin falas të 30 minutave këshillim me një avokat të specializuar në procedurat e divorcit.
E nisur më 3 prill, kjo fushatë komunikimi ka fituar tashmë mbi 20 klientë.