Nga Eduard Zaloshnja – Disa vende po ndjekin ose planifikojnë të ndjekin së afërmi strategjinë e karantinimit të lokalizuar në përgjigje të pandemisë COVID 19. Japonia sot deklaroi vendosjen e karantinës strikte në prefekturën e tetë, ndërkohë që prefekturat e tjera kanë kufizime më të buta. Vuhani në Kinë doli nga karantina vetëm para disa ditësh, ndërkohë që pjesa tjetër e vendit kishte disa javë që kishte dalë nga karantina. Qyteti i Nju Jorkut u fut i pari në karantinë, ndërkohë që shumë qytetete të tjera në SHBA ende nuk janë futur. E kështu me rradhë…
Në Shqipëri, deri në 31 mars, Bashkia e Tiranës ishte “lokomotiva” e rasteve të reja me Covid-19. Nga 2 rastet e para në 9 mars, shkoi në 140 raste gjithsej më 31 mars – një rritje 70-fish brenda 21 ditësh. Sidoqoftë, gjatë prillit, rritja e rasteve të reja në bashkinë Tiranë është ngadalësuar ndjeshëm – rritja mesatare ditore ka qenë 4.5% në ditë. Nga 1 prilli, dy bashki kanë patur një rritje eksponenciale të rasteve të reja – Shkodra dhe Hasi. E para ka shënuar një rritje mesatare ditore të rasteve të reja prej 65% në ditë, ndërsa e dyta mesatarisht 46% në ditë. Kjo gjë ka bërë që kurba e rasteve të reja në rang kombëtar të mos i afrohet ditës me zero raste të reja (shihni grafikun 1).
Në qoftë se Shkodra dhe Hasi nuk do të kishin pasur raste të reja gjatë prillit (si shumë bashki të tjera në vend), kurba e rasteve të reja do t’i ishte shumë pranë ditës me zero raste të reja (shihni grafikun 2). Krahasimi i këtyre dy grafikëvë ngacmon pyetjen: A mos duhet që edhe Shqipëria (si vende të tjera) të përdorë strategjinë e karantinimit të lokalizuar? Kuptohet që kjo strategji e re mund të vihet në zbatim kur 59 nga 61 bashkitë e vendit nuk shënojnë më raste të reja.