Nga Bedri Islami
A mund të vish në pushtet përmes përpëlitjeve të pazakonta, do të thoja halucinante, duke ndjellë kobin dhe duke e kërkuar atë?
Si është e mundur që njerëz të këtij vendi, që kanë qeverisur sipas radhës, disa nga të cilët të mësuar, e në të njëjtën kohë të dështuar, të mos kenë të paktën vetëdijen qytetare të zakonshme për një të vërtetë që duket tashmë që larg dhe që dëshmon edhe një herë se opozita e tashme nuk është ende e reformuar, por vazhdon deformimi i saj?
Po bëhen disa javë që vendi është në pandemi, e cila, sa është e panjohur, është edhe e rrezikshme; sa është mbarëbotërore, aq është edhe e shtetit tonë, që nuk përballohet vetëm dhe ku e paditura mbizotëron tani për tani mbi gjithçka që dihet.
Në përballimin e saj janë përfshirë mjekë të njohur, disa nga të cilët janë bërë shumë e shumë herë më të njohur se disa ministra anonimë, shumë më të afërt për njerëzit se sa disa opozitarë trushkulur; pastaj , sëbashku me to janë i gjithë personeli shëndetësor, që nga kryeinfermierët e deri tek sanitaret e shoferët, të cilëve kushdo, me pak mend në kokë, u heq kapelen.
Në fakt, në këtë luftë, ata janë qeveria e vetme, reale, e dukshme, e kuptueshme dhe e pranuar nga të gjithë.
Shteti, pavarësisht lëkundjeve, të cilat edhe mund të jenë shkak i padijes, por edhe i autokracisë, po bën atë që bëjnë shtetet e tjerë; ende nuk kanë zbuluar dhe askush nuk pret që të zbulojnë diçka shtetarët tanë që marrin vesh fare mirë nga tenderët dhe PPP-të, por atë që po bën, njerëzit e vlerësojnë të dobishme dhe të duhur.
Këtu mbaron kapitulli i detyrimeve të shtetit. Gjërat maten me shifra, që nuk janë vetëm të tilla: pas tyre është jeta e njerëzve.
Pavarësisht parashikimeve kobzeza të opozitës dhe të “shkencëtarëve“ politikë rreth saj, numri i atyre që po largohen nga jeta për shkak të Coronavirusit është i paktë, megjithëse i dhimbshëm dhe, në të shumtën e rasteve, ai bashkëshoqëron sëmundje të tjera.
Në Shqipëri nuk po ndodh hataja dhe as mrekullia. Po synohet të mbahet nën kontroll një gjendje e imponuar, e cila, dihej nga të gjithë, edhe nga specialistët e opozitës, ish mjekë të saj që, ose kanë lënë profesionin tash 30 vite ose kanë studiuar, por nuk janë diplomuar dhe nuk kanë punuar asnjë ditë në zanatin e tyre. Për më tepër, këto, më të zellshmit, bëjnë “korin” e thirrjes tragjike për më shumë të vdekur, thua se rruga drejt pushtetit është rruga e vdekjeve.
Ish deputeti i Shkodrës, Bardh Spahia, paturpshëm lëshon budallshëm thirrjen se “në lista mungon një i vdekur, tentuan të heqin nga listat një të vdekur”. Gëzim dashakeqas apo idiotizëm? Askush nuk e di.
Në 2 prillin e vitit 1991 babai i Spahisë së sotëm, po ashtu mjek, dhe mjek i mirë, ndryshe nga i biri, nuk ishte në demonstratën e organizuar nga PD-ja, ashtu si nuk ishte as Pjetër Arbnori e as sekretari i degës, Xhemal Uruçi. Ali Spahia ishte në morgun e qytetit dhe priste të vdekurit. Historia përsëritet në rrugën drejt pushtetit: i biri pret listën e të vdekurve, me aq padurueshmëri sa i ati thuaj 30 vite më parë.
Një ish deputete tjetër, Pampuri, me një tërheqje të pazakonshme ndaj së keqes pret që “ 70 mijë femra të fasonëve janë në rrugën e infektimit”, dhe të duket sikur shikon një njeri që fërkon duart nga gëzimi. Më është kujtuar një nga emisionet e pakta që ndoqa në ditët e para, kur kjo ish deputete, me një përbuzje njerëzore i drejtohej shefit të urgjencës, duke dëshmuar se përse ishte aty.
Kastriot Islami, shkon edhe më tej: atij nuk i mjaftojnë të vdekurit, bënë parashikimin kasadrian se Shqipëria mund të përballet me urinë, do të vdesim për bukë, uria po i troket shumicës së familjeve shqiptare…
Ish presidenti Nishani kërkon me këmbëngulje të vdekur, megjithëse gjithnjë kam menduar se është më njerëzor se të tjerët, por “qeveria shqiptare të kthehet tek transparenca dhe e vërteta, të deklarojë numrin real të qytetarëve që ndërruan jetë me virusin…”, sikur pas kësaj, të gjithë sytë e shqiptarëve do të drejtohen tek opozita, që pasi bëri numërimin, i kthehet fitorja.
Ish shefi i qeverisë, Berisha, në të vërtetë është tërheqësi i këtij mentaliteti në mendimin politik të opozitës. I mësuar të vijë në pushtet përmes dhunës dhe vdekjes, i paduruar për të qenë sërish i domosdoshmi i pushtetit dhe duelisti i dukshëm, pak ditë më parë, me 3 prill, do të deklaronte se “qindra të sëmurë me Covid 19 do të vdesin në shtëpitë e tyre apo spitale duke iu mohuar mjekimi”. Shton më tej se e gjithë kjo përhapje është e qëllimshme, një dëshirë e fshehur brenda tij, për deri sa “ një deputet i PS në Vlorë ka kërkuar të infektohen sa më shumë…”
Një ditë më pas, Berisha, ende në delirin e tij, përcakton se “me qëllim lihen pa zbuluar mbi 1500 për qind të infektuarve me Covid 19 dhe se Shqipëria ka vdekshmërinë pothuaj dyfishin e rajonit”.
Ndërsa në Shkodër, mjerisht, opozita e mundi qeverinë, por edhe qeveria e la në harresë Shkodrën. Shkodra mbetet shembulli më tipik i përçthurjes intelektuale në një rast si ky, por edhe i sundimit të politikës mbi mendjen.
Solla shumë shembuj, të cilat janë vetëm një pakësi e asaj që po ndillet me aq shumë vëmendje, forcë, përkushtim dhe rrëmujshëm nga opozita e tashme. Ngarendja e saj drejt së keqes të kërkuar me ngulm shkon deri në përcaktime se “ testet rezultojnë negativë, por skanerët rastësorë po zbulojnë raste të infektimit me Covid 19”, si përpjekja e radhës për të gjetur të keqen.
Përse ndodh e gjithë kjo? Ka disa shkaqe.
Së pari, opozita ende nuk është çliruar nga sindromi i Berishës ose bashkëjetesa me të keqen. Të gjithë ata që mund ta trajtojnë veten si fajkoj në PD, në të vërtetë ecin sipas gjurmës që lë Berisha. Nëse ai flet për të keqen, ata rendin të gjejnë të keqen. Nëse Berisha rend për të gjetur kufoma, edhe ata rendin po ashtu. Sa më e madhe të jetë e keqja, aq më tepër ka një ndjenjë të brendshme ngazëllimi, sikur përmes kësaj të keqeje mund të largohet Rama nga pushteti dhe të vijnë ata.
Një pjesë e tyre e kanë në vetëdije të dhënën se nuk mund të jenë në listat e ardhshme të deputetëve, të qeverisë..kur të jenë, të pushtetshëm, nëse nuk janë të dhunshëm dhe nuk ndjellin të keqen.
Së dyti, në kupolën e opozitës janë ngurosur disa figura politike , të cilat më shumë njihen për budallallëqet dhe egërsinë e tyre politike e njerëzore, përfitues dhe të lidhur me botën e oligarkisë kur ishin në pushtet, se sa për mençuri dhe gjetje shtigjesh të sakta drejt pushtetit.
Kjo ngurosje e kupolës drejtuese bën edhe ligjin, përcakton rrymën.
Tentimet e herë pas hershme të Bashës për të qenë më komod, më i drejtpërdrejtë dhe më i arsyeshëm, ose do të jenë në kundërshti të plotë me neveritjet e forcës politike që është rrotull tij, ose menjëherë do të ndjehet vërsulja e një lukunie mediale që kërkon edhe ajo pjesën e kurbanit njerëzor.
Për sa kohë që Basha do të ketë rreth vetes alibeajt, palokajt, vokshajt, bardhët, ristanët, dashshehët, pampurët, nardndokajt, spahijtë, voltanët, këto spurdhjakë që nuk po rriten kurrë, dhe jo mendjet dhe njerëz me autoritet, aq më larg do të jetë nga pushteti dhe krijimi i figurës së tij si drejtues i një force politike që synon pushtetin.
Së treti, në opozitën mbisundon mendimi se Rama nuk mund të largohet nga pushteti përmes votës. Edhe Berisha e ka pranuar këtë dhe ai është i sinqertë në rolin e tij politik kur bën thirrje , çdo ditë e çdo natë, për revolucion, dhunë, grusht shteti, përmbysje.
Të tjerët kanë rënë nën sundimin e këtij mendimi. Tani ata kanë gjetur rrugën e vdekjes për të ngjallur përbuzje ndaj pushtetit dhe për të ngritur revoltën, por , në fakt, po bëjnë të kundërtën e asaj që dëshirojnë. Në kohë lufte, si është krijuar psikoza në Shqipëri, dhe këtë e krijoi me mjeshtëri shefi i qeverisë, askush nuk është i gatshëm të ndërrojë qeverinë.
Kthimi i idesë së vdekjes si rrugë drejt pushtetit dhe përcaktimi i së keqes si shfaqje e dështimit nuk është ajo që duhet për të gjetur veten në këtë pandemi.
Ndjellja e së keqes nuk është virtyt, është vesi i një klase politike që duke e kërkuar të keqen, vjen një ditë dhe bëhen sinonim i saj.