Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë disa ndryshime në buxhetin për vitin 2020, ku një pjesë e saj do t’i vihen në dispozicion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për përballimin e epidemisë Covid-19.Vendimi është marrë në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme.
“Nisur nga situata në të cilën ndodhet vendi si pasojë e pandemisë Covid-19, reflektuar kjo në ndërprerjen e pothuajse të gjithë jetës shoqërore në vend, përfshi dhe aktivitetet e ndryshme profesionale, Këshilli me propozimin e Komisionit të Planifikimit Strategjik, Administrimit dhe Buxhetit, vendosi të bëjë disa ndryshime në buxhetin e KLGJ-së për vitin 2020 me qëllim që këto fonde t’i vihen në dispozicion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, për përballimin e epidemisë Covid-19”, thuhet në vendim.
Ndërkohë, gjithashtu në kuadër të këaj situate, KLGJ ka ngritur edhe një Komision të të Përkohshëm për hartimin, propozimin dhe mbikëqyrjen e zbatimit të një plani masash për ushtrimin e veprimtarisë së shërbimeve gjyqësore në mënyrën më të sigurt. Anëtarë të këtij Komisioni u zgjodhën Naureda Llagami, në cilësinë e kryetares, Medi Bici, Brunilda Kadi, Marçela Shehu dhe Erjon Muharremaj. Nga ana tjetër, një vendim i rëndësishëm i mbledhjes së sotme është edhe caktimi pozicion, në mënyrë të përhershme, pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, të dy gjyqtarëve, përkatësisht Miliana Muça dhe Klodian Kurushi.