Nga Mero Baze

Ilir Meta vazhdon të sqarojë publikisht pozicionin e tij kudrejt Qeverisë “Rama”, që nuk është pozicion tradhtari, por sipas tij, pozicion “shtetari”.

Të gjithë gazetarët që përballen me të, e shikojnë si një njeri që ka tradhtuar dhe e pyesin vetëm për këtë gjë.

Mbështetësit e PD në rrjetet sociale, e shikojnë si të dyshuar për tradhtar.

Fatos Lubonja, që vetëm para dy javësh e quante heroin e vetëm në fushë, e shikon po ashtu si tradhtar.

Gjithë debati në publik për të, bëhet si për dikë që po ndryshon qëndrim dhe mund të prishë balancat…!

I gjithë ky “konspiracion i madh kundër Ilir Metës”, përveçse e faktorizon atë më shumë se sa mban, është dhe një ilustrim i pasigurisë që Partia Demokratike ka për fuqinë e saj, si forcë e madhe opozitare.

Por kjo nuk është e keqja më e madhe.

E keqja do të ndodhë, kur Ilir Meta t’i kthehet ditëve të tij opozitare. Pasi të zbutet ky alarmi për pandeminë dhe të ringjallen betejat e tij me shumicën socialiste, Ilir Meta do të marrë sërish pozicionet e tij të njohura kundër Qeverisë.

Pikërisht rikthimi në atë pozicion, do ta bëjë edhe më të dobët Partinë Demokratike, pasi asaj do t’i duhet të vazhdojë bashkëpunimin me dikë që thuajse e ka shpallur armik, pse ka rreshtur luftën në kohën e pandemisë.

Nëse para pandemisë, PD besonte se me Metën si radikal dhe me fuqinë e PD, mund të ndodhte ndryshimi, pas pandemisë, ata nuk do besojnë më as tek Ilir Meta radikal, dhe as tek fuqia e tyre.

Kjo, pasi Ilir Meta po trajtohet si njeri që është i dënuar të udhëheqë opozitën, meqë ai i ka kaluar në opozitë. Për këtë ai nuk lejohet as të bëjë paqe në kohë pandemie, dhe as të sillet urtë me Qeverinë, në çdo moment.

Vetë Basha, që sillet si kompani konsulence pa pagesë për Qeverinë, duke i dhënë këshilla që s’ja kërkon njeri, quhet udhëheqës normal.

Meqë është kështu, është mirë t’i lini Ilir Metës kreun e PD. Ndoshta s’ja del dot të fitojë, por të paktën e hiqni edhe këtë merak.