Bashkia Dibër, pas implementimit të Reformës Territoriale ka nën juridiksionin e saj një territor shumë të zgjeruar me një sipërfaqe 940 km2. Bashkia Dibër përbëhet nga 15-të njësi administrative, 14 qendra rurale dhe qyteti. Gjatësia e rrugëve rurale është 607 km, nga të cilat 552 km janë të pasafaltuara. Lura si njësia administrative më e largët është 52 km me qendrën e vetme urbane, Peshkopinë. Bashkia Dibër, me të gjithë strukturat e saj në të 15-të njësitë, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Shtetit, Drejtorinë e Shëndetit Publik e institucionet e tjera vendore ka koordinuar e monitoruar në mënyrë efikase të gjithë situatën e fatkeqësisë natyrore të shkaktuar nga virusi Covid-19 deri në këto momente. Fakti që Bashkia Dibër është pjesë e Bashkive të Gjelbërta, që do të thotë deri më tani nuk kemi asnjë rast të raportuar apo evidentuar me virusin e ri, tregon efektshmërinë dhe shpejtësinë e masave të marra.
Cilat janë masat e marra nga Bashkia që ju drejtoni për këtë situatë?
Që në krye te herës kur u shfaq dhe rasti i parë me Covid-19 në Shqipëri, si dhe në përputhje me të gjitha vendimet dhe udhëzimet e Ministrisë së Shëndetësisë nisëm zbatimin në nivel lokal, fillimisht me ngritjen e Shtabit të Emergjencave, i cili koordinon gjithë këtë proçes në Bashkinë Dibër. Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë dhe autoritetet qëndrore menjëherë morëm masa për mbylljen e pikës kufitare të Bllatës, pasi vatra e parë e virusit në Maqedoninë e Veriut, ishte pikërisht në Dibrën e Madhe me të cilën jemi fare pranë dhe kemi shkëmbime ekonomike. Në zbatim të urdhërit të Ministrisë së Shëndetësisë mbyllëm baret, lokalet, restorantet e të gjitha bizneset me përjashtim atyre të lejuara. Institucionet në varësi të Bashkisë Dibër, si kopështe, çerdhe si dhe të gjitha qendrat apo zyrat e ofrimit të shërbimit për qytetarët u mbyllën. Morëm masa të menjëhershme për dezinfektimin e të gjithë institucioneve dhe ambienteve publike në të 15 njësitë administrative. Ndërsa në qytet, ky proçes kryhet në mënyrë të përsëritur. Gjithashtu, për të gjithë banorët e Dibrës, të cilët janë kthyer nga jashtë gjatë kësaj periudhe janë dhënë udhëzimet e detyrueshme për vetkarantinim. Pranë institucioneve publike, marketeve, supermarketeve, tregjeve, bankave etj, morëm masa për shenjimin e rrathëve të verdhë për të mundësuar kështu ruajtjen e distancës fizike mes qytetarëve. Sensibilizimi i herëpashershëm i komunitetit me të gjithë mjetet tona të komunikimit për rëndësinë e vetizolimit në shtëpi si dhe ruajtjen e distancës fizike sociale. Shpejtësia më të cilën ne morëm këto masa, zbatimi dhe monitorimi i tyre në terren, por edhe qytetaria, ndërgjegjësimi i dibranëve bënë që deri më tani ta mbajmë jashtë hartës së të prekurve nga koronavirusi Dibrën.
Cilat janë nismat për te lehtësuar biznesin, kryesisht atë të vogël lidhur me taksat?
Për të mbështetur biznesin e vogël, i cili është prekur dhe ndikuar nga gjendja e Fatkeqesise Natyrore(Covid-19) i jemi drejtuar Këshillit Bashkiak Dibër me një projekt/vendim me anë të të cilit kërkuam shtyrjen e afatit të pagesës së taksave deri më 30 Qershor. Këshilli Bashkiak pas diskutimeve propozoi shtyrjen e këtij afati deri më 30 Shtator. Jemi në pritje të konfirmimit nga Prefekti i Qarkut Dibër. Ndërkohë për bizneset që shfrytëzojnë hapësirën publike, të cilat nuk kanë qenë aktiv gjatë kësaj periudhe, i kemi përjashtuar për 2 muaj nga pagesa e kësaj takse.
Sa familje kanë marrë ndihmë në këtë periudhë dhe a është arritur mbulimi I gjithë territorit të Bashkisë?
Një punë voluminoze është kryer dhe vazhdon në ndihmë të familjeve në nevojë, kryesisht familjet pjesë të skemës së ndihmës ekonomike dhe pa asnjë të ardhur tjetër, familje me individë Pak, dhe të moshuarit e vetmuar. Që nga fillimi kemi evidentuar 1400 familje në nevojë, nga të cilat 1200 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike, dhe 200 të tjera, familje të varfëra dhe në vështirësi ekonomike për të kapërcyer situatën e vetizolimit. Deri më tani kemi trajtuar me pako ushqimore si dhe pako higjienike 1435 familje. Nga këto 589 paketa janë mundësuar nga buxheti i emergjencave të bashkisë dhe pjesa tjetër me donatorë, organzata joqeveritare dhe institucionet e tjera të cilat i kemi patur në krahë në përballimin e kësaj situate. Që prej javës së kaluar kemi filluar valën e dytë të mbështetjes me ndihma ushqimore për familjet në nevojë. Po ashtu 270 pensionistë të vetmuar kontaktohen dhe asistohen çdo ditë për blerje ushqimesh, medikamentesh, pagesë faturash e një sërë shërbimesh të tjera nga grupet e patroazhimit të ngritura për këtë qëllim në njësitë administrative.
Si është organizuar kjo shpërndarje dhe çfarë përmban pakoja e ndihmës?
Në 15-të Njësitë Administrative janë ngritur grupet e punës që kryesohen nga Administratorët e Njësive Administrative ku në bashkëpunim me pjesën tjetër të stafit të njësisë përkatëse si administratorët shoqërorë dhe kryetarët e fshatrave koordinojnë punën derë më derë në terren. Pakot e ndihmës, edhe ata që dhurohen nga donatorët, i përmbahen shportës së përcaktuar nga institucioni ynë si më poshtë: makarona, 4 kg, oriz 4 kg, vaj 2 litra, sheqer 2 kg, kripë 1 kg, salcë 2 kg, fasule 4 kg, miell 25 kg për 1 muaj, detergjentë në sasinë 5 kg, sapunë 5 copë. Sasia minimale e paketës është e përllogaritur për një periudhë 2 javore.
Si po funksionon vetë institucioni i Bashkisë në këtë periudhë?
Në zbatim të të gjitha udhëzimeve, punonjësit të cilët ofrojnë shërbim në sportel apo dhe punonjësit e tjerë të cilët mund ta kryejnë punën pa qenë fizikisht në zyrë, po punojnë me kompjuter nga shtëpia. Prindërit me fëmijë të vegjël gjithashtu janë lejuar sipas udhëzimit të rrinë shtëpi dhe ti përkushtohen fëmijëve. Rreth 150 punonjës të administratës, të Policisë Bashkiake, dhe 143 kryetarë fshatrash janë të angazhuar në terren. Pjesa e stafit që e ka të detyrueshme punën në zyrë, po punon konform të gjitha rregullave dhe masave mbrojtëse, jo më shumë se 2 persona në zyrë me distancën respektive, me maska dhe doreza.
Si po vijon puna për investimet publike, janë ndërprerë apo vijon në mënyrë të kufizuar?
Investimet publike po vijonë sipas planit të parashikuar për këtë vit. Mund të përmend tri investime të rëndësishme publike si: Shkolla 9-vjeçare e Kërçishtit, Ujësjellësi Gurra e Mere-Peshkopi, si dhe Pastrimi e Mirëmbajtja e Kanaleve Vaditëse për të cilat vijon normalisht puna. Sipas prioriteteve, po kryhen edhe proçedurat e prokurimit. Pjesa e likuiditetit të faturave mund të hasë pak më shumë vështirësi për arsye të pagesave që janë më emergjente për shkak të situatës.
Sa mendoni se këto kufizime do të ndikojnë në ekonominë e qytetit?
Siç e përmenda edhe në pyetjen më lartë insvesimet e parashikuara nuk janë kufizuar, por jemi detyruar sigurisht të bëjmë një prioritizim të ivestimeve. Duhet të theksojmë se mbyllja e bizneseve të profileve të caktuara ndikon në ekonominë e qytetit. Sidomos Qendra Balneare Peshkopi dhe hoteleritë e lagjes “Llixha” ku gjatë kësaj periudhe do të kishin fluksin e frekuentuesve, për shkak të epidemisë janë anuluar prenotimet dhe aktiviteti rrjedhimisht, duke ndikuar drejtëpërdrejtë të ardhurat e qendrës dhe biznesëve. Megjithatë më e ngutshme në këtë situatë emergjente është të rezistojmë deri fund pa asnjë të infektuar dhe rrezikuar nga virusi covid-19, sidomos tani që si “Bashki e Gjelbër” kemi më shumë lehtësime në lëvizje.
Cilat do të jenë prioritetet e Bashkisë suaj për muajt e tjerë të këtij viti?
Nëse situata do vijë drejt përmirësimit dhe normalizimit, prioritet në muajt e ardhshëm për bashkinë Dibër mbetet përmirësimi i infrastrukturës rrugore, mbështetja e bujqësisë dhe agroturizmit si sektorë kyç të ekonomisë në Dibër.
Si janë marrëdhëniet me përfaqësuesit e opozitës lokale?
Unë dhe institucioni që drejtoj kemi qenë gjthmonë të hapur për çdo lloj bashkëpunimi në dobi të komunitetit, sidmos në situatën ku ndodhemi i rëndësishëm është uniteti, shëndeti dhe mirëqenia e qytetarëve dibranë pa asnjë lloj dallimi. Opozita e Dibrës mesa duket ka zgjedhur të zbatojë në mënyrë rigoroze rregullat e autoriteteve për të qëndruar në shtëpi.
Ju vete si kryetar i Bashkisë, si e keni organizuar raportin mes punës në këtë periudhë, por edhe familjes suaj?
E gjithë java më gjen të impenjuar në institucion për punët e shumta që bashkia ka, sidomos tani që fokusi kryesor është mbajtja nën kontroll dhe monitorimi i të gjithë situatës emergjente në Dibër. Madje shpesh herë personalisht kam ndjekur në terren zbatimin e të gjitha masave te marra. Jemi të angazhuar maksimalisht për ta mbajtur Dibrën të paprekur nga virusi, dhe uroj t’ia dalim deri në fund të kësaj lufte me armikun e padukshëm. /tirananews.al/