Me gjysmën e botës të mbyllur në shtëpi, ekzistojnë vetëm disa vende ku jeta vazhdon si normale, pavarësisht nga pandemia e koronavirusit.

Por, a e keni pyetur ndonjëherë veten se ku?

Në Polin e Jugut, në hapësirë dhe në fund të oqeanit!

Stacioni Hapësinor Ndërkombëtar (ISS)

400 kilometra ndajnë ISS-në nga Toka, aq larg për t’i shpëtuar kthetrave të koronavirusit, i cili tani ka arritur në pjesën më të madhe të globit. Por, edhe astronautëve u është dashur të marrin masa paraprake. Të enjten, tri anije kozmike dolën nga atmosfera e Tokës drejt ISS-së. Përpara nisjes ata u mbajtën në izolim të rreptë për të shmangur virusin.

Antarktida

Banorët e stacionit të kërkimit gjerman ”Neumayer III” në Antarktidë nuk kanë nevojë të shqetësohen për kontaktimin e koronavirusit. Nëntë shkencëtarë janë duke kaluar dimrin atje dhe janë vendosur të mbeten të izoluar nga bota deri në fund të tetorit, kur ata do të zëvendësohen nga një grup i anëtarëve të rinj të ekuipazhit.

Nëndetëset bërthamore

Kombeve nuk u pëlqen ta bëjnë të ditur se ku dhe kur i vendosin në det nëndetëset e tyre bërthamore. Por, ka ndonjë numër prej tyre në ujë në çdo kohë, periudhat e tyre të lundrimit kufizohen vetëm nga furnizimet. Ekuipazhet kursehen nga dëgjimi i lajmeve të këqija për arsye psikologjike, gjatë misioneve, madje mund të ketë edhe nga ata që nuk kanë dëgjuar ende për koronavirusin.

Jahtet private

Lajmet për pandeminë i kanë detyruar super të pasurit për të përdorur superjahtet e tyre. Plani është i thjeshtë: rezervoni anijen luksoze dhe ankorojeni atë në disa limane piktoreske, mundësisht në një ishull privat.

Shtëpia e Big Brother

Kushdo që ishte në izolim para pandemisë, ishte i sigurt. Të paktën në teori. Merrni banorët e shtëpisë gjermane “Big Brother”, të cilët u informuan gjatë xhirimit të serialit aktual nga transmetuesi ”Sat.1” se një virus vdekjeprurës po përhapej jashtë. Por, edhe ata nuk janë të sigurt, pasi ka shumë mënyra që koronavirusi mund të hyjë në shtëpi nga bota e jashtme. Por, të paktën në Gjermani shfaqja vazhdon. Në Kanada, në fillim të këtij muaji rojet e shtëpisë të “Big Brother” të vendit u detyruan të largoheshin dhe shfaqja u mbyll pasi qeveria urdhëroi mbylljen e të gjitha bizneseve jothelbësore.