Shkodra është vatra e dytë më e nxehtë në Shqipëri përsa i përket pandemisë së Covid-19. E dyta për nga numri i të prekurve, pas Tiranës, edhe pse në përbërje demografike nuk është as në tre vendet e para sa i përket numrit të popullsisë në vend. Nëse Tirana pritej të ishte një vatër e kuqe, Shkodra, në kushte normale nuk pritej të ishte në qendër të luftës me sëmundjen.
Shkodra nuk ka fluksin e shkëmbimeve me Italinë siç e ka Durrës apo Vlora, nuk është zonë në risk për shkak se Mali i Zi apo qoftë edhe Kroacia nuk kanë qenë vende problematike në zanafillë sa i përket prekjes nga virusi. Edhe pse një nyjë në korridorin veri jug në rrugë tokësore që e lidh me Italinë, numri i personave që kalojnë përmes saj për në itali apo Europën Qëndrore (apo edhe anasjelltas) është shumë herë më i pakët se ai në Durrës, Vlorë apo Tiranë.
Eshte edhe më i vogël se fluksi i personave që kalojnë, qëndrojnë dhe dëfrehen në Korçë, një nyje e rëndësishme që na lidh me Greqinë, dhe se në Gjirokastër apo Sarandë. Greqia në ditët e para të pandemisë në Shqipëri ishte ku më shumë vend në risk se Mali i Zi, nëse marrim si reference vendet kufitare. Sa i përket emigracionit, Shkodra ka një histori normale emigrimi me Italinë, ndoshta edhe më të ulët se Durrësi, Vlora, Tirana, e po njësoj si Fieri, Korca e Gjirokastra që e kanë më të madhe marrëdhënien me Greqinë.
Nëse marrim këtë logjikë të thjeshtëzuar, përse Shkodra i mund në shifra të gjithë qëndrat e mëdha të Shqipërisë, duke qenë pas vetëm kryeqendrës së vendit, Tiranës, që ka edhe trefishin e popullsisë së Shkodrës, shumëfishin e përqëndrimit të aktivitetit industrial dhe tregtar, dhe të shkëmbimeve me të gjithë botën?
Çfarë ndodhi dy javët e fundit në Shkodër që e ktheu qytetin në spital masiv, nëse mund ta quajmë kështu, figurativisht, dhe nuk ndodhi në dy javët e para të karantinës në pjesën e parë të marsit?
Në datën 12 mars qeveria shqiptare vendosi sistemin e karaninës për të gjithë vendin, me të njëjtat masa si për qytetarët e Tiranës, Fierit, Vlorës, Durrësit, Elbasanit, Korcës, Gjirokastrës etj, edhe për ata të Shkodrës. Edhe ndryshimet që pasuan më vonë masat, ishin po të njëjta si për Shkodrën dhe për qytetarët e tjerë të Shqipërisë. Në javën e parë pas kësaj, apo edhe në ndonjë ditë më shumë, masat u zbatuan pothuajse njësoj, me po të njëjtin respekt e po të njëjtat shkelje kudo, edhe në Shkodër. Me qytetarët që ishin njësoj të frikësuar dhe njësoj të çoroditur nga gjëma që po përjeton si Shqipëria edhe pjesa më e madhe e globit.
Frika ruan vreshtin dhe njësoj edhe në Shkodër shumicës i dhëmb jeta e tij, e fëmjëve dhe e të afërmve. Por duket se qetësia e javës së parë trembi edhe frikën në Shkodër. Gjatë kësaj periudhe vendi u përball vërtetë më disa dhjetra raste të prekurish dhe ndonjë humbje jete, por shifrat e ulëta në psikologjinë e shumë njerëzve, nga padija, papërgjegjshmëria apo çfardo arsye tjetër bënë që një pjesë e popullsisë të ulë vigjilencën dhe të sillet sikur asgjë nuk ka ndodhur. E ku gjen më shumë terren një psikologji e tillë se sa në një qytet që është mësuar ta marrë jetën me humor dhe të rebelohet ndaj sistemeve shtrënguese se sa në Shkodër.
Së pari, jo pak njerëz mendonin se virusi për sa kohë nuk kishte ardhur zyrtarisht në Shkodër nuk do të vinte edhe për shumë kohë të tjera prandaj përse duheshin respektuar masa shtrënguese pa kuptim? Si mund të qëndrohet mbyllur?
Çfarë është kjo qeveri që ndan “nirin nga niri” (njeriun nga njeriu në dialektin shkodran) në marrëdhënie normale njërëzore me vizita te të afërmit e ngushtë, për gëzime dhe për hidhërime? Pse nuk duhet me dal pasdite me nda dy fjalë me shokët poshtë pallatit, në rrethinat e shtëpisë apo lulishte? E kur edhe kryetarja e bashkisë qoftë edhe me humor thotë se “na jena t’fort” përballë rrezikut të pandemisë, “e din ma mirë Edi Rama apo Voltana kyt punë”.
Dhe kjo psikologji që u kthye në aleatin më të madh të sëmundjes bëri që qyteti të mos respektojë më asnjë masë, ku më flagranti dhe ajo që inicoi bombën epidemike ishte pjesëmarrja masive në një varrim, e me radhë turrja në rrugë në tregje e kudo, për të mos harruar edhe këndet e cepat e lagjeve e rrugicave apo kafet ilegale.
Çfarë bëri shteti në këtë rast? Pak, shumë pak dhe asgjë. Në Republikën e Shqipërisë, edhe në situatën e fatkeqësisë, shteti e ushtron fuqinë e tij përmes qeverisjes qëndrore dhe asaj vendore. Harmonizimi i bashkëpunimit të këtyre të dyve bën që kontrolli i territorit të jetë pothuajse 100 përqind. Nëse një nga hallkat e secilit pushtet të cedojë, aq më pak do të ndihet fuqia e shtetit në territor.
Në Shkodër në mars kishim një realitet absurd, pushteti qëndror i frikësuar nga pasojat e pandemisë që merrte masa gjysmake dhe pushteti vendor që sillej në kushte normale. Në Shkodër ka 3-4 TV lokale dhe lajmet që transmetonin çdo ditë ishin ato të mbulimit të situatës sikur të ishin TV Kombëtare me kronika për situatën në vend nga raportimet e ministrisë së Shëndetësisë, deklaratat e shumta të Edi Ramës dhe si njerëzit po respektonin masat në pedonalen e Shkodrës, dhe kronikat lokale për investimet e Bashkisë në rrugica, apo zona rurale, sikur pandemia ishte punë e qeverisë dhe Bashkia nuk ka lidhje me të.
Asnjë thirrje dhe asnjë punë në terren me qytetarët për t’i ndërgjegjësuar të paktën për distancim social, kyçje në shtëpi sipas rregullave të vendosura, rregullim të tregjeve, masa për hyrjen, daljen apo ndarjen e banakëve të tregtarëve, mbylljen e tregjeve jo funksionale, ndalimin e organizimit të ceremonive funerale masive, kontrolle për baret e restorantet ilegalë.
Asgjë nga këto nuk do të gjesh edhe sot në TV-të e Shkodrës. Për të vetmen arsye se asnjë punonjës i Bashkisë, nga kryetarja deri te më i fundit nuk ishte prezent në terren për të bërë këtë punë. Një situatë që ishte lënë të rrëshkiste jashtë kontrollit dhe që kur shpërtheu u kthye në një betejë deklaratash me qeverinë deri me kanotacione të thella të ndarjes e përçarjes veri-jug. Edi Rama ka mëkatet e tij, ka cinizmin dhe arrogancën jo pak herë të panevojshëm në komunikim me qytetarët, por Bashkia e Shkodrës dhe Voltana Ademi kanë përgjegjësinë se për çfardo arsye që kanë pasur, të mos bënin asgjë për qytetarët e kësaj Shkodre. Përkundrazi, mosveprimi qoftë edhe me apele publike, jo në FB, por në sa më shumë ekrane do të kishte shpëtuar shumë njerëz të mos ktheheshin në pacientë. Nuk mund të ndahen shkodranët e shëndoshë në të Voltanës dhe ata të sëmurë në të Ramës.
Edhe në Itali ka boll polemika mes përfaqësuesve të qeverisjes vendore dhe asaj qëndrore, qoftë për ndihmat, qoftë për paketat financiare. Por kryetari i Bashkisë së Barit është çdo ditë në rrugë dhe më pas në zyrë, duke përzënë fillimisht qytetarët që gjen rrugëve dhe në parqe dhe duke marrë më pas të moshuarit në telefon për ti ndaluar të dalin nga shtëpia. Kryetari i Bashkisë së Milanos, meqë dikush po përpiqet ta kthejë Shkodrën në Lombardi, doli vetë këtë javë të kontrollonte lejet e njerëzve që qarkullonin rrugëve të qytetit në momentin më të parë që u akuzua se në Milano kishte shumë njerëz në rrugë që s’po e merrnin më në sy rrezikun.
Por problemi nuk do të ekzistonte nëse nuk do të kishte edhe mbështetje, edhe pse jo politike në vend. Pse jo edhe të medias në jo pak raste që opozitën ndaj qeverisë e shohin tek sfidimi i shtetit, duke vënë në rrezik shëndetin e njerëzve përmes atyre që nuk duan as shëndetin e tyre.
Të premten e kaluar një lajm për trafikun e krijuar në një nga daljet e Romës që të çonte drejt bregdetit nxiti një zemërim kombëtar në Itali me këta njerëz që nuk ndaleshin as në këtë situatë pandemie duke u kthyer në rrezik të pëhapjes së sëmundjes. Në Shqipëri, mediat kombëtare me krenari të skajshme vihen në garë ku të gjejnë sa më shumë personazhe që thyejnë rregullat dhe ligjet dhe emfatizojnë si heronj disa shkodranë që pavarësisht ndalimit të daljes nga shtëpia “sfidojnë qeverinë” dhe trokasin vezët e Pashkëve në rrugë. (Gazeta SI)