La Liga shpejton hapat për rinisjen e kampionatit, duke përfituar edhe nga vendimi i qeverisë spanjolle për rihapjen e vendit që do të kalojë në katër faza. Kështu, nga data 4 maj, futbollistët profesionistë mund të kthehen në stërvitje, por vtëm në mënyrë individuale në qëndrat stërvitore të skuadrave. Në varësi të situatës do të vijojnë edhe lehtësimet e masave, çka do të thotë se pas 18 majit lojtarët mund të përgatiten në grupe të vogla.
Lajmi u konfirmua nga kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, që zbuloi edhe hapat që do të ndiqen deri në hapjen e plotë të vendit, një nga më të prekurit nga virusi Covid-19. Vlerësimet do të bëhen çdo dy javë, duke shpresuar që me kalimin e ditëve edhe numri i futbollistëve që stërviten bashkë të rritet. Data 1 qershor projektohet si ajo që do të kthejë normalisht skuadrat në starvitje, sigurisht duke respektuar masat e rrepta të sigurisë. Lehtësimi i masave në Spanjë afron edhe rinisjen e La Liga. Ndryshe nga projektimi i parë që shihte datën 5 qershor, ndeshjet e kampionatit spanjoll pritet të rinisin një javë më pas, pra të premten e 12 qershorit.