Mjekët dhe infermierët në spitalet COVID te Infektivi dhe Sanatoriumi po kujdesen për pacientët e infektuar me koronavirus edhe në aspektin psikologjik. Për besimtarët katolikë sot është ditë e veçantë, pasi janë Pashkët dhe e gjithë familja duhet të jetë rreth tryezës.

Por për ata që janë në pamundësi, si në rastin e të infektuarve me koronavirus ka menduar stafi mjekësor, që i ka surprizuar duke u dhuruar simbolin e kësaj dite, vezën e Pashkës. Ministrja e Shëndetësisë ka postuar fotot, ndërsa shkruan se jeta do të triumfojë kudo dhe kurdoherë.

“Siç thotë Papa Françesku: “Fjala e fundit nuk do t’i mbetet as errësirës dhe as vdekjes”. Në këtë ditë simbol të triumfit të jetës mbi vdekjen, mendimet tona shkojnë për ata që sakrifikojnë e sakrifikohen në spitalet tona, në këto ditë të vështira në përballjen me Covid19. Ky gjest domethënës në spitalin Covid1 “Spitali Infektiv” na jep shpresë dhe forcë, se do t’ja dalim bashkë që jeta të triumfojë kudo dhe kurdoherë” shkruan ministrja.