Në një intervistë për tirananews.al kryebashkiaku i Bulqizës Lefter Alla shprehet se ai dhe vartësit kanë përballuar një situatë të pazakontë dhe të vështirë. Duke iu përgjigjur pyetjeve tona ai thotë se: “Është e vërtetë se nga aspekti gjeografik, Bulqiza është disi e shpërndarë dhe me një territor të thyer që shumë herë na shkakton vështirësi në punët që bëjmë. Por, në situata të tilla, ku njerëzit janë të izoluar e presin ndihma për të mbijetuar, pushtetit vendor i duhet të gjejë çdo lloj mënyrë për të mbërritur tek ata. Falë angazhimit të grupeve të patronazhimit, stafit të bashkisë dhe shumë qytetarëve vullnetarë, kemi organizuar aksione humanitare në çdo njësi administrative, duke shkuar deri në fshatrat më të thellë për të ndihmuar familjet më në nevojë. Për këtë, duhet të falënderojmë edhe drejtuesit e njësive administrative, të cilët kanë qenë në gatishmëri të plotë për të identifikuar familjet më në nevojë, por edhe duke ndihmuar në shpërndarjen e ndihmave.”

Cilat janë masat e marra nga Bashkia që ju drejtoni për këtë situatë?

Në situata të kësaj natyre, pushteti vendor është i detyruar të ofrojë zgjidhje jo vetëm për nevojat emergjente të qytetarëve, siç janë ato të ndihmave në ushqime apo medikamenteve mjekësore në këtë periudhë. Vëmendja jonë ka qenë e drejtuar në disa drejtime.

Fillimisht i kemi qëndruar besnik të gjitha masave të sugjeruara nga qeveria dhe ekspertët e shëndetësisë, si kushte të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së Covid-19. Për këtë, dua të falënderoj të gjithë qytetarët tanë, të cilët i kanë respektuar këto masa me shumë rigorozitet.E gjithë puna jonë është organizuar varësisht kushteve që na dikton situata. Për t’iu gjendur sa më pranë banorëve të Bashkisë Bulqizë, u ngritën një sërë grupesh patronazhimi, ekipe të posaçme të bashkisë, shumë vullnetarë etj, të cilët ndihmuan në një lloj sinergjie qoftë edhe brenda nesh.Më tej, identifikuam familjet më në nevojë dhe organizuam shpërndarjen e ndihmave jo vetëm njëherë, por duke u rikthyer tek ata për së dyti deri më tani, e sërish sipas nevojës që do të kenë. Në aksionin tonë humanitar u angazhuam edhe shumë biznese dhe qytetarë, të cilëve u kemi bërë apel të vazhdueshëm për të ndihmuar në këtë periudhë të vështirë përmes kontributeve të tyre. Kanë qenë të shumtë ata që na janë bashkuar në këtë nismë.Në lidhje me masat dhe mbështetjen që i duhet dhënë bizneseve të mbyllura prej disa javësh, kemi qenë në komunikim të vazhdueshëm me qeverinë për strategjinë tashmë të bërë publike nga Kryeministri i vendit dhe Ministri përgjegjës për ndjekjen e saj.

Do të veçoja midis shumë të tjerash vëmendjen që jemi përpjekur t’i kushtojmë edhe pasurimit të jetës sociale për fëmijët e izoluar. Në kushtet kur mësimi ka vijuar online, në bashkëpunim të ngushtë me zyrën përgjegjëse për arsimin në Bashkinë tonë, organizuam disa konkurse online në pikturë, poezi, interpretim e muzikë. Kanë qenë disa dhjetëra fëmijë që morën pjesë në këto konkurse. Pasurimi i jetës sociale të fëmijëve ka qenë pjesë e diskutimeve të shumta, pasi vetë situata aktuale mund të lërë gjurmë në zhvillimin e tyre psikologjik dhe social.

Cilat janë nismat për të lehtësuar biznesin, kryesisht atë të vogël lidhur me taksat?
Jemi përpjekur të ruajmë linjën e ndjekur në gjithë vendin dhe në të gjitha bashkitë. Për biznesin e vogël është menduar shtyrja e afatit të pagesës se detyrimeve nga muaji qershor për në muajin shtator-tetor, si edhe rishikimi i mundësisë për zbritjen e periudhës për bizneset që kanë qenë të mbyllura sipas aktit normativ. Këto do të jenë çështje diskutimi edhe në mbledhjen e radhës të Këshillit Bashkiak.
Sa familje kanë marrë ndihmë në këtë periudhë dhe a është arritur mbulimi i gjithë territorit të Bashkisë?
Që në fillim dua të theksoj se deri më tani kemi shkuar në çdo njësi të Bashkisë Bulqizë, qoftë edhe në fshatrat më të thellë, duke iu gjendur pranë familjeve më në nevojë.

Për ta konkretizuar në shifra, deri më tani janë ndihmuar me pako ushqimore rreth 1600 familje dhe rreth 1000 të tjerave u janë ofruar shërbime mjekësore. Numri i pakove falas ka qenë mbi 800, ndërsa të tjerat janë me pagesë, por të ofruara nga ekipet e patronazhimit.Nga ana tjetër janë shpërndarë pensionet nëpër banesa për 5342 pensionistë. 1621 familje kanë marrë ndihmën ekonomike në shtëpi

Si është organizuar kjo shpërndarje dhe çfarë përmban pakoja e ndihmës?
Siç e përmendëm edhe më sipër, shpërndarja e ndihmave është organizuar në bashkëpunim me drejtuesit e njësive administrative. Pas identifikimit të familjeve më në nevojë, ekipet e Bashkisë, të mbështetur edhe nga shumë vullnetarë, kanë dërguar ndihma ushqimore dhe medikamente shëndetësore tek këto familje. Deri më tani, tek familjet në nevojë kemi shkuar së paku dy herë, por që ky aksion humanitar do të vijojë deri në fund të kësaj situate.
Pakot e ndihmave kanë pasur produktet bazë ushqimore, si vaj, miell, makarona, oriz, sheqer. Por ka pasur edhe detergjente dhe produkte kancelarie për fëmijët si lapsa, lapustila, fletore, etj.

Si po funksionon vetë institucioni i Bashkisë në këtë periudhë?
Bashkia ka vijuar punën normalisht, duke respektuar të gjitha masat e sugjeruara nga ekspertët e shëndetësisë. Mbledhjet e organeve kolegjiale janë zhvilluar online, ndërkohë që zyrat tjera kanë vijuar me ndjekjen e punës normalisht.Si po vijon puna për investimet publike. Janë ndërprerë apo vijon në mënyrë të kufizuar?
Sigurisht që gjatë kësaj periudhe ka pasur disa kufizime të vogla, por deri më tani nuk ka pasur ndërprerje të investimeve publike. Gjithçka do të vazhdojë siç ka qenë planifikuar.

Cilat do të jenë prioritetet e Bashkisë suaj për muajt e tjerë të këtij viti?

Pavarësisht situatës dhe vështirësive në të cilat ndodhemi, si Kryetar i Bashkisë Bulqizë, unë do t’u qëndroj besnik premtimeve të mia elektorale për të vijuar me punën mbi tre shtyllat kryesore, të cilat mendoj se do ta zhvillojnë Bulqizën. Ato janë zhvillimi ekonomik, mirëqenia sociale dhe ekonomike; burimet natyrore, mjedisi i qëndrueshëm dhe zhvillimi rural; si edhe shërbimet dhe infrastruktura bazë dhe sekondare.
Në lidhje me këto tre shtylla, ne kemi planifikuar një sërë projektesh, një pjesë e të cilëve po implementohet, e një pjesë tjetër do të nisë në muajt në vijim.Aktualisht po komunikojmë me disa aktorë dhe organizata ndërkombëtare, të cilët shpresoj se do t’i kemi partnerë në shumë prej projekteve që kemi hartuar.

Si janë marrëdhëniet me përfaqësuesit e opozitës lokale?

Opozita është një aktor politik që gjithmonë duhet vlerësuar për rolin që ajo luan në qeverisjen kombëtare dhe lokale. Si pozita, po ashtu edhe opozita kanë detyrime dhe përgjegjësi të barabarta ndaj qytetarëve. Ne kemi qenë dhe do të jemi të hapur ndaj çdo bashkëpunimi me përfaqësuesit e opozitës, duke vlerësuar çdo kontribut konstruktiv që ata mund të japin për zhvillimin e mëtejshëm të Bashkisë tonë. Nuk mund të them se kemi pasur një bashkëpunim shumë të ngushtë, por as mund të pretendoj për pengesa serioze të opozitës në Bashkinë tonë.
Ju vete si kryetar i Bashkisë, si e keni organizuar raportin mes punës në këtë periudhë, por edhe familjes suaj?
Puna dhe familja kërkojnë angazhime të veçanta. Përsa i përket punës, angazhimi dhe përgjegjësia ka qenë më e madhe se më parë, pasi jemi në një situatë jo të zakonshme. Jemi përballur me problematika jo të ndeshura më parë, e që kërkojnë zgjidhje të menjëhershme.

Ndërsa në lidhje me familjen, periudha e karantinimit na ka ndihmuar të kalojmë më shumë kohë me njëri-tjetrin. Ndoshta është nga rastet e rralla kur kemi gjetur mundësinë për të ndenjur kaq shumë sëbashku. Jemi përpjekur që ta kalojmë me sa më shumë sportivitet qëndrimin brenda.