Emergjenca Coronavirus po paralizon çdo aspekt të jetës ekonomike dhe sociale që nga shkurti. Gjithsesi, ka nga ata që thonë se virusi ka qenë në qarkullim prej shumë kohësh, shumë para emergjencës në Kinë dhe rastit në Codogna të Italisë.
Një dyshim që shtohet edhe nga fjalët e Romelu Lukaku-t në një intervistë të dhënë për Kat Kerkhofs në faqen e Instagram-it të Vier. Sulmuesi belg i Inter-it ka pohuar se ka patur simptoma shqetësuese disa muaj më parë:
“Kemi patur një javë pushim në dhjetor. Jemi kthyer dhe, ju betohem, 23 lojtarë nga 25 ishin të sëmurë. Nuk është një shaka. Kemi luajtur në shtëpi kundër Cagliari-t të Radja Nainggolan dhe pas 25 minutash një nga mbrojtësit tanë (Milan Skriniar) ka qenë i detyruar të largohet nga fusha”, ka thënë Lukaku.
“Nuk mund të vazhdonte dhe pothuajse ka humbur ndjenjat. Të gjithë kolliteshin dhe kishin temperaturë. Nuk kam patur temperaturë prej vitesh. Pas ndeshjes kishim një darkë me Puma-n, por e kam anuluar dhe kam shkuar në shtrat. Nuk kemi bërë testet për Covid-19 në atë moment, kështu që nuk do ta dimë kurrë me siguri”.