Nga Alfred Peza/ Kjo periudhë e karantinimit të popullsisë, si masa e vetme mbrojtëse përballë pandemisë globale që ka shkaktuar Covid-19, ka sjellë veç të tjerash edhe problemet e saj në jetën social- ekonomike të vendit. Por, nga ana tjetër na ka ndimuar në shumë raste, që të shohim më qartë, disa nga mitet e rreme politike përmes të cilave janë munduar që ta realizojnë propogandën e tyre, liderët e opozitës shqiptare.
Mitet janë bindje apo besime kolektive, që nxiten dhe krijohen pa u bazuar në fakte, duke u munduar që ti shesin ato si të vërteta përpara opinionit publik, përmes legjendave urbane, fantazive, dëshirave personale, të dhënave konfuze dhe folklorizmit.
Në pamundësi për ta bazuar luftën e vet politike dhe propogandistike në prova, fakte, dokumenta dhe të dhëna të tjera përmes burimesh të besueshme, zyrtare e të pakundërshtueshme, është e njohur qasja e opozitës shqiptare, për tu mbështetur tek mitet e rreme. Me sa duket, si e vetmja mundësi për të hedhur baltë mbi kundërshtarin politik, mazhorancën qeverisëse.
Kjo qasje dhe kulturë opozitare, u pa në rastin kur para epidemisë qeveria kritikohej përmes shifrash e përqindjesh alarmante, se papunësia kishte arritur në nivele që po i detyronin të gjithë që të iknin nga Shqipëria! Ndërsa tani që janë lançuar masat ekonomiko-financiare për përballimin e pasojave të pandemisë, jepen nga opozita shifra sikur të mos ketë ikur kurrë askush, e sikur në këtë vend të mos ketë as edhe një të papunë.
Si ky shembull mund të jepen edhe shumë të tjerë, për ta ilustruar këtë qasje.
Ishte opozita shqiptare ajo që bënte një presion të jashtëzakonshëm në fund të muajit shkurt dhe në ditët e para të muajit mars, për të mbyllur kufijtë e Shqipërisë nga frika e importimit të koronavirusit, përmes udhëtarëve që vinin nga zona dhe shtete që ishin prekur nga pendemia.
Pasi qeveria e mori këtë vendim, ishin të njëjtët që nisën të bënin presionin më maksimal, por këtë radhë për të kundërtën. Duke kërkuar me forcë që të hapen kufijtë dhe të lejoheshin për tu futur brenda të gjithë, në kundërshtim me protokollet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe rregullat e rrepta që dikton karantinimi.
Ishte opozita shqiptare ajo që për ditë e javë akuzoi në fillim Kryeministrin Edi Rama, se pëse nuk i mbylli më herët qytetarët shqiptarë brenda nëpër shtë, e bashkë me to edhe bizneset dhe shërbimet e tyre, si masë parandaluese ndaj virusit vrasës.
Janë po të njëjtët që pak ditë më parë, e akuzuan mazhorancën socialiste për të kundërtën, pasi Komisioni Parlamentar i Ligjeve miratoi kërkesën e qeverisë për shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore, deri më 23 qershor. Opozita dhe opozitarët shqiptarë, kërkuan në mos hapjen e menjëhershme, përcaktimin që tani të një afati të afërt, ndërkohë që është Komiteti Teknik i Ekspertëve autoriteti që e dikton këtë masë, në varësi të dinamikës së kurbës së të prekurve në terren.
Ishte opozita jonë ajo që në vijimësi e kishte akuzuar qeverinë për fshehjen e shifrave të të prekurve, të të vdekurve, të të shëruarve dhe të rasteve të tjera të rënda, deri tek ato që nuk mereshin në konsideratë nga emergjenca kombëtare.
Ndërsa pak orë më parë, ishin përfaqësuesit e Partisë Demokratike ato që deklaruan se me numrin e të prekurve nga virusi dhe të të vdekurve që ka Shqipëria, “nuk justifikohet aspak zgjatja deri në 23 qershor, kur (shtetet e) tjera me kriza të vërteta shëndetësore, po i zgjasin me 3-4 javë”.
Këto e shumë shembuj të tjerë tregojnë se jo vetëm gënjeshtra, por edhe mitet e rreme politike, i paskan këmbët e shkurtëra. Ndaj edhe koha i rrëzoi lulet e tyre dhe nuk i la që të lulëzonin, as tani në pranverën e koronavirusit!