Andriada Meta, mjeke reanimatore, do të ishte ndër të parat vullnetare që do t’i bashkohej stafit mjekësor të nisur nga Shqipëria në Itali për të dhënë ndihmën e tyre në shtetin fqinj, të goditur rëndë nga koronavirusi.

Edhe pse e vetëdijshme për rrezikun me të cilin përballet çdo ditë në punën e saj, në një intervistë për “tirananews.al”, Dr. Meta thotë se misioni i mjekut reanimator është puna për shpëtimin e një jete, pavarësisht vendit apo kombësisë

Ajo tregon luftën e saj dhe të koleges tjetër shqiptare në reanimacionin e spitalit të Breshias, aty ku ka më shumë mungesë mjekësh dhe ku zhvillohet lufta më e madhe për shpëtimin e jetës.

Dr. Meta thekson se me të mbërritur, ka nisur punën normalisht në reanimacion, duke dhënë ndihmesën e saj, ndërsa sqaron se asnjë nga stafi i dërguar nga Shqipëria nuk i është nënshtruar testimit, ashtu siç u fol kur grupi prej 30 mjekësh mbërritën në Itali.

Dr. Meta si e morët vendimin për t’iu bashkuar misionit të stafit mjekësor për të shkuar në Itali?

Vendimi ishte shumë i shpejtë dhe i menjëhershëm. Në fakt unë e kam vendosur një ditë para nisjes ardhjen time në Itali.

Ju tërhoqi pagesa apo egoja profesionale për të punuar në spitalet italiane?

Mu propozua si ide dhe nuk e mendova dy herë, si vullnetare as nuk është përmendur fare pagesë.

Më shumë se çdo gjë më tërhoqi ideja e të bërit diçka të vlefshme në një kohë kaq dëshpëruese për Italinë. Misioni i mjekut reanimator është puna për shpëtimin e një jete, pavarësisht vendit apo kombësisë.

Është thënë që shumë nga mjekët nuk ua treguan këtë vendim të tyre prindërve, apo të afërme. Ju vetë si ua thatë njerëzve të afërm?

Familja ime ka qenë gjithmonë mbështetëse në vendimet e mia. Si gjithmonë edhe këtë herë ato patën besim te unë pavarësisht situatës dhe merakut që kanë prindërit për fëmijën.

Pas sa ditësh filluat punë kur shkuat në Itali dhe a është e vërtetë që bëtë një test të aftësive?

Kemi filluar pothuajse direkt. Dy ditë i kemi bërë udhëtim derisa arritëm në destinacion për shkak të mbylljes së aeroporteve. Të shtunën jemi nisur nga Tirana dhe kemi mbërritur në Romë ku na pritën autoritetet më të larta duke na falenderuar. Nga aty kemi udhëtuar për në Verona e më pas në Brescia ku edhe jemi vendosur ditën e dielë. Që atë ditë takuam përfaqësuesit e spitalit të cilët na falenderuan për ardhjen tonë.Të hënën na morën tamponët dhe bëmë një intervistë të shkurtër mbi eksperiencat dhe aftësitë e secilit. Të nesërmen filluam punë.

Nuk na është bërë asnjë test apo provim, këtë e kemi dëgjuar vetëm nga mediat. Përveç një interviste të shkurtër me shefat e shërbimeve përkatës mbi eksperiencat, kualifikimet dhe aftësitë e secilit për të kuptuar më mirë edhe ku duhet të integroheshim, që është një gjë mëse normale.

Si ndiheni sa i përket profesionalizmit teksa jeni me kolegët tuaj italianë?

Mjekët shqipëtarë janë shumë të përgatitur dhe janë të barabartë me ata të huaj kudo. Jemi ndjerë shumë mirë që ditën e parë. Na kanë pritur me shumë respekt dhe mirënjohje, sidomos ne dy mjekëve reanimatorë. Na kanë integruar direkt.

Në cilin sektor punoni ju vetë dhe sa është rreziku për t’u prekur nga COVID 19?

Unë bashkë me kolegen time Dr. Almën jemi dy mjekët reanimatorë të grupit dhe kemi filluar punën në reanimacion (terapi intensive). Aty ku ka më shumë mungesë mjekësh dhe ku zhvillohet lufta më e madhe për shpëtimin e jetës. Rreziku për t’u prekur është i pakët kur përdoren pajisjet e mbrojtjes personale, megjithëse ekspozimi i përditshëm e rrit këtë mundësi. Ne mundohemi të jemi të kujdesshëm në çdo moment. Mjeku reanimator është ai që bën më shumë manipulime mbi të sëmurët dhe ka kontakt direkt me rrugët ajrore ku është edhe mundësia e kontaminimit më të madh.

Me çfarë po trajtohen aktualisht pacientët në Itali që janë prekur?

Trajtimi bëhet sipas të gjithë rekomandimeve më të fundit të OBSH-së, por edhe eksperincës së vetë mjekëve italianë, me bashkëpunimin e një sërë specialistësh të fushave të ndryshme, kryesisht reanimatorë-infeksionistë. Përveç sigurisht edhe mjekimit të sëmundjeve të tjera shoqëruese që janë specifike për çdo pacient.

Kur mendohet se kjo epidemi mund të zhduket?

Nuk ka akoma një ide të qartë se kur mund të marrë fund. Kjo nuk mund të parashikohet, por këtu punohet fort për më të mirën.

A besoni se kjo periudhë mund të shërbejë edhe si një reflektim qoftë për politikat ndër vite sa i përket trajtimit të stafit mjekësor, por edhe të vlerësimit të mjekëve nga qytetarët?

Në fakt do të ishte mirë që që të kthehej vëmëndja nga shëndetësia, për më shumë investime jo vetëm në materiale e medikamente, por edhe pajisje mjekësore. Pavarësisht kësaj situate, mjekët dhe i gjithë personeli shëndetësor janë të përkushtuar në punën e tyre dhe do vazhdojnë ta bëjnë edhe kur kjo situatë të kalojë. Mbase kjo do t’i shërbejë jo vetëm politikës, por edhe të gjithë opinionit publik për të kuptuar që mjekët janë të shenjtë. Që mos të hidhet më baltë mbi ta, por të mbështeten në mënyrë që të bëjnë punën e tyre sa më mirë.

Cili është mesazhi juaj për shqiptarët në këtë periudhë?

Mesazhi im do ishte që të kenë durim. Duhet të gjithë të bëjnë pjesën e tyre në mënyrë që të gjithë bashkë t’ia dalim mbanë. Asnjë sistem shëndetësor nuk është i përgatitur për të përballuar një pandemi. Prandaj duhet të kenë durim dhe të ndjekin këshillat e mjekëve, mbrojten personale dhe të personave të tjerë në mënyrë që të ndihmojnë veten edhe ne.

Çfarë do të bëni kur të ktheheni në Shqipëri dhe jeta t’i rikthehet normalitetit?

Kur të kthehem do rikthehem në reanimacion në punë. Përveç ndihmës që po japim këtu, edhe po marrim eksperiencën e tyre. Fakti që kanë më shumë kohë që trajtojnë të sëmurë COVID i bën të kenë më shumë eksperiencë se ne. Shpresoj të marrim më të mirën në mënyrë që ta vëmë në zbatim kur të kthehemi.