Mjeku shqiptar në Itali, Arben Gjeka shprehet se shërbimi shëndetësor në rajonin e Lomardisë ka pësuar njëfarë kolapsi për shkak të pandemisë.
Në një intervistë për Ora News ai thotë se nga ana e vetë qytetarëve simptomatik ka pasur hezitim në thirrjen e urgjencave.
Ata i druhen infektimit nëse shkojnë në spitale.
Arben Gjeka: Ndoshta ka arritur në njëfarë kolapsi rajoni i Lombardisë. Në Piemonte nuk ka pasur kolaps por vështirësi të jashtëzakonshme. Kush ka pasur nevojë ka marrë shërbimin e nevojshëm. Nga ana e urgjencës nuk ka pasur probleme. Qytetarët janë të trembur pasi kanë hezituar të paraqiten në spitale. Kjo ka përkeqësuar gjendjen e shumë pacientëve simptomatik të cilët nuk janë paraqitur në spitale, me frikën se do të infektohem në urgjencë.
Mjeku Gjeka i cili punon në rajonin e Piemontes shprehet se situata është drejt përmirësimit pavarësisht se shifrat mbeten të larta.
Spitalet janë lehtësuar shumë në krahasim me javët e kaluara, dhe shërbimi shëndetësor u ofrohet të gjithë qytetarëve.
Arben Gjeka: Situata në Torino nuk është shumë e mirë. Ajo bën pjesë në rajonin e Piemontes. Të dhënat e djeshme nuk janë inkurajuese, numri i të infektuarve ishte dyfish në krahasim me ditën e hënë. Kjo ka të bëjë dhe me numrin e tamponeve të kryera në ditë të ndryshme.
Ne shohim se spitalet janë lehtësuar në krahasim me javët e mëparshme. Në fillim OBSH-ja dhe Ministria e Shëndetësisë në Itali jepte indikacione për tu bërë testi vetëm për ata që shfaqën simptoma dhe për ata që kanë ardhur nga zona me rrezik. Kur u përhap në masë u hoq ky kriter. Më pas u bënë teste për personat që shfaqnin simptoma dhe një kontakt i ngushtë. Nëse ke pasur një kontakt të ngushtë me koronavirusin nuk të bënin tamponin, por indikacionet ishin që të vijoje punën me maskë kirurgjikale. Mundësia për të bërë tampone në masë është e ulët se testimet janë të shtrenjta. 70 mijë u teste serologjike u bënë për Piemonten. Kjo lloj strategjie do të japë rezultatet e saj.