Nga Ylli Pata
Ndriҫim Mehmeti është një nga zërat e Partisë Demokratike që është atashuar të flasë në publik për ҫështjet e arsimit.
Është mjaft aktiv në mediat audiovizive, por edhe në portale të shumtë e rrjete sociale, qoftë ato pranë opozitës qoftë edhe media të tjera, ku si ekspert për arsimin vëzhgon ngushtë dhe në mënyrë permanente aktivitetin e ministrisë së Arsimit.
Është natyrisht mjaft kritik, dhe e ndjek me detaje ҫdo politikë të arsimit që nga shkollat, universitetet, problemet e mësuesve, e deri tek aktiviteti ditor i ministres Besa Shahini.
Duket këtë të fundit e vëzhgon aq me kujdes sa i vë re edhe frazat dialektore që përdor ministrja që ka ardhur nga Kosova.
Ky aktivitet i Mehmetit që është doktor me gradë dhe duket se ka një përvojë të gjatë si zyrtar i Ministrisë së Arsimit, ka provokuar pak ose aspak kundërpërgjigje të ashpër si nga ana e ministres Shahini, ashtu edhe prej stafit të ministrisë së Arsimit.
Madje është parë shpesh që pas reagimit të zotit Mehmeti, ka pasur edhe korrektime apo korigjime të ndonjë akti a veprimi, që nuk ka qenë ashtu siҫ duhet prej ministrisë.
Mehmeti, ka qenë aktiv edhe në këtë kohë të pezullimit të shkollave, ku për herë të parë, pa u praktikuar më pare, ka nisur një proces, ai i mësimit në distancë-online, i cili është mjaft i vështirë dhe shpesh ka hasur në komplikacione, si për mësuesit, ashtu edhe për prindërit.
Kritika e përfaqësuesit të opozitës ka synuar që të verë theksin tek thelbi i mësimit në distancë për të larguar atë që quhet promovim, apo propagandë thjesht për tu dukur.
Duke e ndjekur këtë aktivitet, apo të themi duel në distancë të një ministrie të rëndësishme siҫ është ajo e Arsimit dhe përfaqësuesit të opozitës, që mund të quhet edhe “ministri hije”, vë re se kemi të bëjmë me një proces jo vetëm normal, por një model tejet funksional i një opozite reale në vend por që ka qëndruar i “fshehur” politikisht në selinë blu.
Ku pa sharje, por me një kritikë të fortë mund të kryhet një proces jetik për një demokraci, siҫ është kontrolli i qeverisjes nga ana e një institucioni bazik i shtetit që është opozita.
Një model që i jep publikut jo thjesht një konstatim por detyron qeverinë të lëvizë, të korigjojë apo edhe të sqarojë pozicionet e veta.
Sikur gjithë këto vite të ndiqej pikërisht ky model nga ana e opozitës, padyshim edhe marrëdhënia e saj me publikun dhe zgjedhësit do të ishte më direkte dhe do t’i jepte njerëzve një mundësi zgjedhjeje pa i shantazhuar, siҫ ka ndodhur në 2017 apo vitin e shkuar ku zgjedhjësit u polarizuan rëndë nëpërmjet qëndrimeve ekstreme pas molotovëve dhe bojkotit të zgjedhjeve.
Kurse polarizimi i skajshëm i eksportuar edhe në media, e ktheu llogoren dhe bombardimin, si mënyrë e vetme të luftës politike.
Dhe si rezultat votat jepen si nga llogorja; pra ose me Bashën e Kryemadhin me shokë ose kundër tyre. Këtë polarizim e legjitimojnë edhe zëra të njohur analistësh si Lubonja apo Bushati etj, që antiramizmin e kanë kthyer në një ideologji, ҫ’ka nuk i përgjigjet një aspirate të njerëzve që duan nga përfaqësuesit e opinionit publik një analizë për fenomenin dhe jo thjesht të konfirmojnë qëndrimet e tyre për Ramën, pasi atë qëndrim e njohin të gjithë pa hapur gojën Bushati e Lubonja,
Leonardo Sciascia, shkrimtari i njohur italian nga Siҫilia, i cili ka qenë një luftëtar i fortë kundër mafias, në kulmin e betejës së grupit të prokurorëve të famshëm të Palermos, publikoi një ese të tijën ku kritikonte “profesionistët e antimafias”, që duan ta kthejnë në mjet e qëllim, një fenomen i cili duhet të jetë i tillë vetëm si argument për të sjellë progresin dhe jo për të përdorur pakënaqësinë si qëllim në vetëvete. Ese që pati menjëherë efekt për të mos polarizuar një betejë por për ta sqaruar e përkrahur.
E sjellë në realitetin tonë, opozita krijoi madje operoi në mediat më të mëdha në vend sajime e ngjarje që rezultuan totalisht montime e fakenews, siҫ ishte ajo e “Babales” për shembull, kur fare mirë mund të përdornin modelin klasik të një opozite, që duket se e kanë konkret edhe brenda vetes së tyre.
Por Basha në vend që ta profilozojë opozitën me modelin e Mehmetit, ka lanҫuar eksperimente si Saljanji e Klevis Balliu që janë njerëz të shiringuar nga lobe politike e ekonomike, jo për të bërë opozitë apo dhënë ide politike, por për t’i shërbyer pikërisht qarqeve nga ata u pompuan për vite në panele e studio, që nga emisionet e shëndetit e deri tek spektaklet sportive, sa zhbënë ҫdo mendim sado racional që ata mund të kishin, duke prishur si imazhin e vet, por në radhë të parë atë të opozitës.
TemA