Wuhan-i, qyteti kinez ku shpërtheu koronavirusi, u rikthye në normalitet pas 76 ditësh në izolim. Ndërsa sot 24 orë pas këtij vendimi, në Kinë raportohet për 63 të infektuar të rinj, duke ngritur shqetësimin në vend për një valë të dytë shpërthimi pas heqjes së izolimit të qytetit të epiqendrës së koronavirusit.
Autoriteti shëndetësor kinez tha sot se raportohen 2 viktima në vetëm 24 orët e fundit, duke e çuar në numrin e përgjithshëm të vdekjeve në vend në 3.335. Rastet e përgjithshme të të prekurve me koronavirus janë 81.865 në vend.Komisioni Kombëtar i Shëndetit në Kinë (NHC) tha 61 prej rasteve të të infektuarve ishin të importuar. Aktualisht raportohet se ka vetëm 1,104 të infektuar, pjesa më e madhe e të cilëve ndodhen të vetëkarantinuar.
Pas gati tre muaj luftë me virusin që nga janari, Kina po i kthehet normalitetit me fabrikat dhe bizneset që i janë rikthyer punës, në mes të shqetësimeve për një shpërthim të dytë për shkak të rritjes së vazhdueshme të infeksioneve të reja, veçanërisht nga mijëra kinezë që kthehen nga jashtë.Nga dita e djeshme, dhjetëra mijëra njerëz në Wuhan, pika e origjinës dhe epiqendrës së pandemisë, filluan të udhëtojnë jashtë qytetit.