Në këtë kohë pandemie nuk ka munguar as shprehja e mirënjohjes dhe falenderimit ndaj stafit mjekësor. I tillë ishte edhe akti i ditës së sotme nga deputeti Ervin Bushati, i cili i shoqëruar nga stafi i njësisë administrative nr.8, mbolli në ambientet e QSUT një pemë në nder të mjekëve ‘SuperHeronj’, siç i quan ai.

‘Në vijën e parë të frontit të luftës, shembull i forcës mbinjerëzore, pasqyrë e solidaritetit dhe humanizmit. Me përkushtim dhe forcë edhe në kohën e pandemisë, heronjtë tanë gjenden në punë. Një hero i vërtetë nuk matet nga madhësia e forcës së tij, por nga forca e zemrës. Është pikërisht kjo dita Ndërkombëtare e Superheronjve, ditë kur ne duhet t’i përulemi me krenari çdo personeli shëndetësor dhe t’u shprehim miënjohjen tonë. Shqipëria është më e sigurt falë sakrificës së tyre në emër të jetës’, deklaroi deputeti socialist.

Përpos falenderimeve ndaj stafit mjekësor, kreu i Partisë Socialiste të Tiranës nuk ka nguruar të ndërmarrë nisma për të ndihmuar familjet në pamundësi ekonomike. E tillë është edhe nisma ‘Familja e Zemrës’, e iniciuar nga vetë deputeti. Kjo nismë nisi fillimisht në zonën e njësisë administrative nr. 8, e cila njihet si Zemra e Tiranës nga ku mori edhe emrin, e më tej u zgjerua në të gjithë kryeqytetin. Bushati shprehet se nisma u iniciua para tërmetit të nëntorit dhe ka vijuar punën pa ndalur deri më sot në këtë situatë emergjente.

‘Familja është bërthama e shoqërisë sonë. Shqipëria është shtëpia jonë dhe ne jemi si një familje të gjithë bashkë, një familje e vogël, e zhurmshme dhe e bekuar. Nisma të tilla si ‘Familja e Zemrës’ që kanë në fokus njerëzit në nevojë, do vijojnë të kryejnë ‘misionin’ e tyre deri në fund’, shprehet Bushati.