Themeluesi i Microsoft, Bill Gates, shprehet se e ardhmja nuk do të jetë e njëjta me atë që kishim deri në dhjetor.

Në një koment për “The Economist”, Gate shprehet se edhe sikur bizneset të hapen nga qeveritë, do të jenë vetë njerëzit që për shkak të frikës nuk do t’i frekuentojnë ato.

Duke komentuar mundësitë për një vaksinë për koronavirusin, Gates shprehet se do të ishte historike sikur ajo te shpikej qoftë edhe në vitin 2021.

JavaNews.al sjell një pjesë të komentit të Bill Gates, përkthyer nga “The Economist”:

Kur historianët të shkruajnë rreth Covid-19, ajo që kemi përjetuar gjatë pandemisë me gjasë do të përbëjë një të tretat e përmbajtjes. Pjesën më të madhe të historisë do të jetë ajo çfarë ndodhi më pas.

Në pjesë më të madhe të Evropës, Azisë Lindore dhe Amerikës së Veriu piku i pandemisë do të ketë kaluar deri në fund të prillit. Pas disa javësh, shumë shpresojnë se gjërat do të kthehen siç ishin në dhjetor. Fatkeqësisht kjo nuk do të ndodhë!

Unë besoj se njerëzimi do ta mundë këtë pandemi, por vetëm kur shumica e popullsisë të vaksinohet. Deri atëherë, jeta nuk do të kthehet në normalitet. Edhe nëse qeveritë heqin masat shtrënguese për izolimin apo bizneset, njerëzit kanë një frikë natyrale për ta ekspozuar veten e tyre. Aeroportet nuk do të kenë më turma të mëdha njerëzish. Sportet do të luhen padyshim në stadiume boshe. Ekonomia botërore do të jetë në depresion sepse kërkesa do të mbetet e ulët dhe njerëzit do të shpenzojnë duke kursyer. Ndërsa pandemia ngadalësohet në vendet e zhvilluara, ajo do të përshpejtohet në vendet në zhvillim. Përvoja e tyre do të jetë e keqe. Në vendet më të varfra, ku ka më pak punë, masat distancuese nuk do të funksionojnë. Virusi do të përhapet shpejt dhe sistemet shëndetësore nuk do të jenë në gjendje të kujdesen për të infektuarit.

Covid-19 e gjunjëzoi Nju Jorkun, por ama të dhënat tregojnë se një spital i vetëm i Manhatanit ka shtretër më shumë sesa disa vende afrikane.

Megjithatë, njerëzit e vendeve të pasura dhe të varfra do të jenë të barabartë përballë rrezikut deri në zgjidhjen efektive, që e ka emrin vaksinë.

Gjatë vitit të ardhshëm studiuesit do të jenë ndër njerëzit më të rëndësishëm në botë. Për fat të mirë edhe para kësaj pandemie, po bëheshin hapa gjigantë në vaksinologji.

Vaksinat konvencionale e mësojnë trupin të njohë formën e një pantogjeni, zakonisht duke futur një formë të vdekur ose të dobësuar të virusit. Por ekziston gjithashtu një lloj i ri imunizimi që nuk kërkon nga studiuesit shumë kohë. Këto vaksina përdorin kodin gjenetik për t’u dhënë udhëzime qelizave tuaja se si të kenë një përgjigje imune. Ato ndoshta mund të prodhohen më shpejt se vaksinat tradicionale.

Shpresa ime është që deri në gjysmën e dytë të vitit 2021, subjektet në të gjithë botën do të prodhojnë një vaksinë. Nëse do të ndodhë kështu, do të jetë një arritje historike. /JavaNews/