Ish-zëvendës ministri i Arsimit Taulant Muka, duke marrë shkas nga masat në vendin tonë, ka bërë një thirrje për qytetarët.
Në një postim në rrjetet sociale, Muka thotë se ashtu si nënat me fëmijët edhe baballarët dhe të moshuarit mund të dalin në çdo orë të ditës.
Ish-zv.ministri i Ramës i kërkon qytetarëve të mos tremben dhe të dalin sa herë të duan duke respektuar distancimin social. Ai pretendon se kufizimi i lëvizjes është antikushtetues dhe mund të sjellë pasoja të mëdha shëndetësore.
“Ku drejton arsyeja dhe jo padituria ka normalitet! Baballarët mund të dalin me fëmijët e tyre (të çdo moshe) sikurse dhe nënat, në çdo orë të ditës! Mosha e tretë mund të dalë në çdo orë të ditës, edhe për plazh! Mos lejoni paditurinë t’ju trembë, dhe politikën që jeton në një realitet paralel të hapë panik për shkak të paditurisë.
Ata induktojnë tek ju edhe ndjesinë e inferioritetit për të justifikuar masat ekstreme dhe forcën duke thënë populli ynë është i pagdhendur. Më thoni një komb në Europë më të disiplinuar se kombi shqiptar që për 6 javë po respekton masat e një izolimi ekstrem?!
Kufizimi lëvizjes së individit siç po ndodh në vendin tonë është antikushtetuese, dhe jo vetëm që nuk ka efekt në kontrollin e epidemisë, përkundrazi mund të vijë me pasoja të mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike!
Dilni pa frikë për ecje të lirë, vrap dhe aktivitete të tjera fizike duke respektuar masat e distancimit fizik dhe ruajtur higjenën! Kujdes Po, Burg Jo!”, nënvizon Muka.