Liderët e partive politike në Maqedoninë e Veriut, Zoran Zaev dhe Hristijan Mickoski do të përfundojnë nesër periudhën 7 ditore të izolimit shtëpiak. Ata iu nënshtruan izolimit pasi gazetari me të cilin të dy kishin realizuar intervistë, rezultoi pozitiv në virusin korona.

Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev tha se nuk ka shfaqur shenja të sëmundjes, ndaj pret që rezultati të dalë negativ.“Afati kalon nesër, por do të rrimë në shtëpi deri në kalimin e festave të Pashkëve. Nuk ka simptoma as tek unë, as të bashkëshortja, as te fëmijët ose prindërit e mi. Unë jetoj në bashkësi. Shpresoj që edhe këto teste të rezultojnë negative që të mundemi pas festave të kthehemi në funksionimin normal të detyrimeve të punës”, tha Zoran Zaev, raporton noa.al duke cituar Alsat.

Zaev u shpreh se beson në zbutjen e masave dhe përgatitje për rikthim në normalitet nga fillimi i muajit maj.“Unë besoj se muaji maj, ja të them nga 1 maji, numrat e të shëruarve do të jenë shumë më të lartë se sa të të infektuarve, psikologjikisht të gjithë do të përgatitemi për kthimin e jetës në normalitet por të gjithë e dimë se kjo nuk do të ndodhë sikur të shtypin një sustë. Do të ketë me siguri ndonjë vazhdim afatesh për respektimin e izolimeve sociale dhe kujdesit, maskat me siguri do t’i mbajmë për një periudhë më të gjatë dhe pajisjet tjera mbrojtëse”, tha Zaev.Ndërsa Hristijan Mickoski, kryetari i VMRO-DPMNE-së i bëri thirrje të gjithëve që të zbatojnë rregullat në mënyrë që situata të përmirësohet.Deri tani, Maqedonia e Veriut ka konfirmuar 974 raste me koronavirus, nga të cilët kanë ndërruar jetë 45 persona.