Sekretari i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi në një postim në facebook i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që t’u sigurojë shqiptarëve të paktën pagën e mbijetesës.
Sipas Bardhit, Rama paguan oligarkët dhe në këtë kohë krize, kryen vjedhje në tendera me mbishkrimin ‘sekret’.
Sekretari i PD thotë se Rama mjafton të ndalë korrupsionin me tendera dhe të anulosh koncesionet korruptive, që të ndihmojë qytetarët.
Reagim i Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Gazment Bardhi:
Edi Rama nuk mund dhe nuk duhet ti ikë përgjegjësisë si Kryeministër për t’u siguruar shqiptarëve të paktën pagën e mbijetesës.
Për qytetarët nuk ka para, nuk ka ushqim, thotë Edi Rama,- sepse kanë rënë të ardhurat, ndërsa për oligarkët vazhdojnë pagesat dhe nën mbishkrimin sekret kryhet vjedhje e jashtëzakonshme e parave të qytetarëve me tenderat në këtë kohë krize. Paratë janë.
Mjafton të ndalësh korrupsionin me tendera dhe të anulosh koncesionet korruptive. Qytetarët kanë nevojë për mbështetje, jo për propagandë e justifikime bajate.