Nga Alfred Peza/ Për shkak të nivelit të lartë të penetrimit të internetit, jetojmë në një kohë e cila të jep munundësinë që të zgjedhësh për tu informuar, përmes të vërtetave zyrtare e profesionale, apo deri prej mashtrimeve të mëdha publike. Për rrjedhojë, edhe aktorët e jetës publike shqiptare, kanë mundësinë që të zgjedhin brenda këtij diapazoni, këndin e tyre për të shkuar tek mendja dhe zemrat e qytetarëve.

Më të lehtë për ta bërë këtë zgjedhje, në sistemet e hapura të demokracive liberale, e kanë faktorët opozitarë. Gjatë gjithë kohës, ato kanë luksin e shfrenuar që të gjurmojnë të metat e gabimet e qeverisë dhe përmes mediave e rrjeteve sociale, tua servirin ato qytetarëve që të shohin më qartë mënyrën sesi qeverisen. E bashkë me këtë, u ofrojnë edhe alternativën e tyre opozitare, sesi do ta zgjidhin atë situatë kur të jenë nesër në pushtet.

Kjo që duhej të ishte rruga më e thjeshtë dhe e vetme e opozitarëve tanë për të shkuar tek çdo shqiptar, në mënyrë që nesër në zgjedhje të fitojnë bashkë me simpatinë edhe votat e tyre, është e vetmja që shmanget prej tyre. Jo vetëm në situata normale, por edhe tani në kulmin e luftës ndaj covid-19, propaganda e saj meret vetëm me shpifje dhe të pavërteta, të cilat janë lehtësisht të verifikueshme.

Përshembull është thënë këto ditë se vdekshmëria në Shqipëri, për shkak të virusit korona, është më e larta në raport me vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës. E kundërta është e vërtetë. Kjo statistikë është online 24 orë në 24, nga çdo shtet i globit, e monitoruar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe e publikuar nga Universiteti “John Hopkins” në SHBA, por jo vetëm. Ndaj, çdokush mund të futet e ta bëjë vetë llogarinë, pasi janë veprime aritmetike mjaft të thjeshta.

Në vendin tonë, numërohen 22 të vdekur për shkak të Covid-19, ose 7.3 për 1 milion banorë. Sipas përfaqësuesit të OBSH në Tiranë Raul Gonzales, “Greqia e ka këtë koeficient 7.6 të vdekur për 1 milion banorë. Sllovenia 14. Bosnje dhe Hercegovina 9.4. Serbia 8.7 dhe Maqedonia e Veriut 13”. Ndërsa në raport me Europën, Shqipëria është akoma edhe më mirë, po të kemi parasysh se në Spanjë kemi 297 të vdekur për 1 milion banorë. Në Francë 156. Në Italinë fqinje, plot 285 të vdekur, për 1 milion banorë.

Mjafton ky shembull për të treguar se gënjeshtra i ka patur këmbët historikisht të shkurtëra. Por, të rrekesh kësisoj që të mashtrosh sot në epokën e internetit, edhe për fakte që janë të aksesueshme për çdo qytetar të Republikës, është pak të thuash se kjo është miopi politike. Pasi është një përpjekje qesharake dhe mjerane, për të bërë politikë me gjithçka, qoftë edhe me luftën për mbijetesë të shqiptarëve dhe të mbarë njerëzimit.

Mirë që nuk gëzohen kur ua thotë Edi Rama, apo kur deklaron përfaqësuesi i OBSH se “Shqipëria është në një situatë shumë të mirë”. Po mundohemi që ti justifikojmë edhe kur nuk bëhen pjesë e përpjekjeve të drejtuesve të shtetit dhe qeverisë, sistemit shëndetësor të vendit dhe popullsisë, për ta përballuar bashkë këtë luftë. Po bëjmë sikur po ua pranojmë, kur përpiqen të duken sikur duan të japin herë pas here ndonjë ide, për përballimin e kësaj situate.

Por ajo që të lë pa film në qasjen e tyre këtë radhë, është se përse e kanë kaq shumë jetike, që të ushqehen e të shpërndajnë domosdoshmërisht vetëm e vetëm lajme të këqia. Postime me shifra të sëmurësh të paqenë. “Fake News”-e për viktima inekzistente. E të këndojnë këngë korbash me arkivole bosh dhe vdekje që kërkojnë ti ndjellin, duke lutur që të shtohen e të shtohen!

Në një botë të bashkuar si kurrë më parë nga frika ndaj virusit vrasës, vetëm në Shqipëri ndodh që të ketë një grup njerëzish që mërziten, kur dëgjojnë lajme të mira. Vetëm këtu mund të gjesh zëra, që të kenë guximin, për të të sulmuar dikë kur thotë të vërtetën. Që i hidhen në fyt, kujtdo që tenton të japë shpresë. Që mundohen të fyejnë, shajnë e denigrojnë, kur u thonë shqiptarëve me prova e fakte, se e keqja po kalon dhe të gjithë sëbashku, shpejt do ja dalim!

Mashtrimi publik, si një strategji opozitare për të dëmtuar mazhorancën dhe për të përfituar politikisht nga kjo periudhë e luftës ndaj Covid-19, është humbëse. Jo vetëm sepse çdokush i ka sot mundësitë që ti verifikojë vetë provat e faktet. Por sepse ajo nuk ka triumfuar asnjëherë në Shqipëri. As gjatë periudhës së përballimit të tragjedisë së tërmetit. As gjatë “revolucionit të molotovëve”. As gjatë periudhës së çadrës së “Republikës së Re”. Dhe asnjëherë tjetër më parë.

Edhe nëse nuk i gëzohen dot faktit se “Shqipëria është në një situatë shumë të mirë”, në raport me dinamikën globale të pandemisë, të paktën të heshtin. Vetëm opozitarëve tanë mund tu ndodhë kaq sistematikisht, që të rreshtohen gjithnjë e më me zell, në anën e gabuar të historisë. Me sa duket, e vetmja gjë që kanë mësuar deri tani prej historisë, është së asgjë nuk kanë mësuar prej saj!