Një modele 23 vjeçare rezidente në Bologna tregon se po përjeton një makth si pasojë e koronavirusit. Bianca Dobroiu u paraqit në spitalin e Sant’Orsola më 28 mars me temperature të lartë dhe kishte të gjitha simptomat e Covid-19. Ajo u deklarua e shëruar më 10 mars, por që nga ajo ditë rezulton ende pozitive me koronavirus. “Prej muajit mars jam në gjendje të mirë, por pas 6 tamponesh rezultoj ende pozitive. Qëndroj e mbyllur në dhomën time në karantinë dhe nuk takoj askënd”, tregon 23 vjeçarja.
Vajza e re jeton me të ëmën në një apartament në qytetin emilian, por është e detyruar që të ndjekë rregulla shumë të ashpra edhe brenda shtëpisë. “Me nënën time alternohemi për çdo gjë, dhe të ngrënën e bëjmë me turne. Është një makth. Nuk mundem më. Mezi pres që të dalë jashtë qoftë dhe për një orë. Vetëm shikoj televizor dhe lexoj”, shton modelja.
“Për mjekët jam një rast që duhet studiuar, por dua përgjigje se kur e gjitha kjo do të marrë fund. Fatmirësisht koronavirusin nuk e kalova në gjendje të rënduar, por jam akoma e infektuar. Sa vjen momenti për të bërë tamponin kam ankth. Më pas shoh rezultatin dhe dorëzohem. Duhet thënë se kur e gjitha të marrë fund do të duhet pak kohë për t’ia nisur nga fillimi”, përfundon vajza.