Futbollisti 20-vjeçar i Evertonit, Moise Kean, i blerë me bujë verën e kaluar nga Juventusi, ka pushtuar faqet e para të gazetave ditën e sotme në Angli. Sulmuesi nuk ka dashur t’ia dijë për karantinën dhe rregullat për koronavirusin, duke organizuar një parti në shtëpinë e tij në Chesire, ku të ftuara ishin gjashtë femra, të cilat mendohet se janë modele.

Fotot e festës u zbuluan pasi sulmuesi italian i postoi në një grup në ‘snapchat’, nga ku më pas dolën. Kuptohet që gjatë partit nuk është respektuar asnjë masë sigurie, pasi sulmuesi duket duke qëndruar mjaft pranë me modelet. Mediat britanike shkruajnë se nuk kanë munguar as puthjet mes tyre. Grupi në ‘snpchat’ është quajtur ‘karantinë e pastër’, duke ironizuar kështu me rregullat e vendosura nga autoritet.

Ngjarja ka lënë të shokuar klubin e Everton, që pasi është njohur me ngjarjen ka shkruar: “Everton është tmerruar kur kanë mësuar mbi incidentin ku është përfshirë një lojtar i ekipit të parë, i cili ka injoruar udhëzimet e qeverisë dhe politikat e klubit në lidhje me krizën e krijuar nga coronavirusi.

Klubi ka shprehur fuqimisht zhgënjimin ndaj lojtari dhe ka bërë të qartë se veprime të tilla janë të papranueshme.”

Për ngjarjen pritet që sulmuesi, i cili në këtë festë ka bërë shumë bëma, të dënohet ashpër.