Nga Mero Baze
Kryeministri në detyrë Albin Kurti po përpiqet të tregojë një predispozicion të ndryshëm ndaj përfaqësuesit të Bashkimit Europian për bisedimet Serbi- Kosovë, sllovakut Miroslav Lajçak, në raport me të dërguarin special të presidentit Trump, ambasadorin Grenell. Ndërsa me ambasadorin Grenell, Kurti është thuajse në gjendje lufte, edhe pse predispozicioni i SHBA për marrëveshjen është shumë i lartë, me të dërguarin e Bashkimit Europian, diplomatin Miroslav Lajçak, vendi i të cilit, Sllovakia, nuk e njeh Kosovën, jo vetëm që ka hequr dorë nga çdo kushtëzim për dialogun me Serbinë, por i ka ofruar dhe një ekip negociator, edhe pse ajo ngjan si shaka, pasi atë e vendos Kuvendi që e ka shkarkuar Albin Kurtin.
Së pari, duhet thënë se çdo teori që SHBA do ndarjen e Kosovës dhe BE do unitetin e saj, është një mashtrim propogandistik, që shqiptarët në Kosovë dhe ca në Tiranë, e përdorin për të baltosur njëri- tjetrin. SHBA është lokomotiva e bisedimeve Serbi- Kosovë dhe BE është mbështetëse e saj e palodhur. Nuk ka asnjë kontradiktë thelbësore mes SHBA e BE për Kosovën. Ka vetëm energji dhe interes të ndryshëm. SHBA është më e interesuar dhe më energjike. BE më viskoze dhe më e pafuqishme për të diktuar diçka serioze, por gjithnjë dakord me SHBA, nëse ajo ja del.
Kjo loja e politikanëve në Kosovë, që luftojnë njëri- tjetrin, si tifoza skuadrash futbolli, është shumë e rrezikshme për Kosovën.
Brenda dy muajsh në krye të qeverisë, edhe pse i shkarkuar tashmë, Albin Kurti është dorëzuar në gjithë pikat që ai pretendonte se do të rezistonte. Thjesht ka lëpirë gjithçka ka pështyrë.
Në politikën e jashtme ai ka hequr taksën dhe tashmë ka hequr dhe kushtëzimet për dialog, ndërsa në politikën e brendshme ka zaptuar bordet me militantë të VV, po tenton të uzurpojë televizionin publik, ka shantazhuar Devollët, që janë pronarë të Klan Kosovës, duke detyruar dorëheqjen e drejtorit të televizionit, duke i linçuar në fushatë si oligarkë, ndërsa sonte është mysafir tek televizioni i tyre.
E vetmja gjë marksiste që ka ruajtur, është ai gjesti lejfenist, që ka ndaluar ministren të shkojë në varrim të babës, pasi kishte konferencë shtypi me të.
Me të vetmit që është prishur, është administrata e presidentit Trump. Dhe për inat të tyre tashmë bën sikur ka gjetur shpëtimin tek ambasadori Lajçak, i cili përveçse përfaqëson viskozitetin e Bashkimit Europian, dhe vetë është një diplomat i ftohtë ndaj çështjes së Kosovës.
Ky turri i Albinit drejt Lajçakut nuk do të kishte asgjë të keqe dhe paragjykuese, sikur të ishte ndonjë frymë europianiste e Albinit. Por në fakt ai e bën këtë vetëm sepse një tjetër politikan në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, po ashtu nga pozita të gabuara, e çon në ekstrem refuzimin ndaj Lajçakut, si anti-kosovar.
Rivaliteti fallco SHBA-BE në Kosovë, për luftë të brendshme politike, vetëm sa i bën jo seriozë aktorët kryesorë politikë.
Kurse ky letërkëmbimi i Kurtit me Lajçak, përveçse jo serioz, është dhe i dëmshëm, pasi kërkon të demonstrojë një lloj karshillëku ndaj Uashingtonit, të cilin e ka caktuar tashmë si “armikun” që e ka rrëzuar nga pushteti, ndërsa sllovakun Lajçak, si njeriun që do të rilindë. Dhe kur i bën këto nga pozitat e kryeministrit të shkarkuar, dëshmon joseriozitet dhe vë në pozitë të vështirë “letërkëmbyesin”, që detyrohet të të thotë ‘do takohemi, por besoj shumë vonë’. D.m.th kur nuk do jesh më aty.
Në fakt, as BE, as SHBA, nuk kanë ndërmend të prishen me njëra- tjetrën për Albinin. Ata thjeshtë duan të mbyllin procesin e ndërsjelltë të njohjes Kosovë- Serbi, me një çmim sa më të ulët për të dy palët.
Ky deliri i Albin Kurtit se po xhelozon SHBA, me këtë dashurinë për Lajçak, është siç thotë një fjalë e urtë shqiptare, “për inat të sime vjehrre, unë do fle me mullixhiun”.