Ministrja e Arsimit Besa Shahini deklaron se viti shkollor nuk ka për të humbur, pasi janë vetëm 2% e nxeneseve qe nuk kane akses ne internet, ndersa shton se edhe provimet e maturës do të kryhen në kohën që iu takon.

“Qëllimi ynë është që të mbyllim këtë vit shkollor. Ne do ta mbyllim këtë vit shkollor, ndoshta me më pak kurrikula, por do ta mbyllim e kjo është e sigurt. Ne do të mbyllim provimet e maturës. Është e rëndësishme që së paku të bëhen dy javë mësim në shkollë, para se të shkojmë në maturë.

Nëse arrihet kjo, jemi në rregull që ta bëjmë testin e maturës. Unë shpresoj shumë që nxënësit tanë të kthehen në bankat e shkollës, sepse kjo na ndihmon më shumë ta mbyllim këtë vit shkollor. Është e rëndësishme që të mos humbet ky vit”, tha Shahini, në një lidhje të drejtpërdrejtë në “News 24”

Besa Shahini theksoi se vetëm 2 përqind e nxënësve nuk janë përfshirë në mësimin online, shifër kjo e vogël në raport me të gjithë ata që marrin mësime.

“Vazhdon mësimi online. Rreth 2 përqind e nxënësve nuk ndjekin dot mësimin online, për shkak se nuk kanë internet. Por, shumica dërrmuese normalisht janë përfshirë në mesimet online gjatë kësaj pandemie. Ne kemi kërkuar informacion sesa nxënësi ka marrë pjesë në mësimet online. Por në mësim online do ketë vetëm nota orientuese. Iu kemi kërkuar mësuesve që të relaksojnë pak pyetjet që bëjnë”, u shpreh Shahini.

Në lidhje me mbarë-vajtjen e mësimit në universitet, Shahini vlerësoi se shkollimi i lartë në Shqipëri ka autonomi, duke thënë se edhe në këtë nivel shkollimi, vlen mësimi online.
“Universiteti ka autonomi të plotë akademike. Nëse flasim për mungesat, pjesëmarrja gjithmonë ka qenë dhe është e rëndësishme. Duhet angazhim i madh, qoftë edhe online. Duhet angazhim mësimi, qoftë edhe në kushte shtëpie. Pjesëmarrja është pak në krahasim me vlerësimin në total.

Cdo punë nga shtëpia do të konsiderohet sikur të ishte provim. Nuk besoj se do të ketë bonuse financiarisht për mësuesit, pasi kemi pasur tërmetin, këtë pandemi ku ndihmojmë ata që janë më në nevojë, andaj nuk mund të ketë financim, por vetëm falënderim”, tha ajo.