Nga Albert Nikolla
Fjala virus vjen nga latinishtja e do të thotë “helm”. Bash si helmi i është bërë shoqërisë shqiptare dalja e përditshme dhe e kobshme e përfaqësuesve të opozitës, të cilët në të gjitha deklaratat për shtyp i referohen vetëm një fjale: vdekje! Edhe ndarja nga jeta, si çdo etapë e jetës sonë duhet të ketë respektin dhe dinjitetin që meriton. Kush përdhos vdekjen e dikujt për qëllime politike ka përdhosur vetë dinjitetin e atij që ka humbur jetën. Për më tepër, shëmtia interpretuese e deklaratave për shtyp e tejkalon mirëkuptimin e natyrshëm e të meritueshëm, kur fillojnë e trumbetojnë për fshehjen e të vdekurve nga qeveria! Nuk gjej dot asnjë çelës interpretimi të kësaj strategjie opozitare në kërkim të vdekjeve të fshehura, por me siguri ajo vjen nga “forma mentis “ e saj që çdo gjë e shikon në perspektivën konspirative. Pse do të duhej një qeveri e përgjegjshme si kjo e sotmja të fshihte kufoma si vrasës serial? Pse tejkalon në marrëzi fantazia opozitare? Besoj se kjo lidhet me idenë meskine se duke përhapur tym informativ në popull mund të rifitojnë ndonjë konsideratë minimale të humbur nga shumë simpatizantë të saj, të cilët e kanë braktisur prej kohësh. Dhe kjo mënyrë të menduari e shpie drejt një lloj “shkabëzimi” që kërkon përfitim nga kufomat!
Kur një kafshë e gjorë nuk i bën dot ballë udhëtimit në shkretëtirë dhe bie përdhe në mëshirë të fatit, shkabat janë të parat vizitore të pamëshirshme me sqepin e shtrembër si drapër që i afrohen dhe shpresojnë të shkafanjitin ndonjë copë mish në trupin e pajetë të kafshës. Sa herë kam lexuar mbi shkabat apo kam parë programe mbi to, nuk kam mundur të gjej sjellje më të neveritshme në botën e kafshëve, sepse ato nuk lodhen, nuk bëjnë kurrfarë sakrifice, nuk bëjnë luftë apo duel për ta vrarë prenë, por presin sa të gjejnë ndonjë cofëtinë e t’i sulen. I vetmi moment kur duket se kanë shpirt paksa luftarak ka të bëjë me luftën brenda llojit: cila prej tyre do të kapë copën më të madhe të mishit që shkëpusin nga cofëtina!
Për metaforë, bash krejt e ngjashme më shëmbëllen mënyra se si fragmente të caktuara të opozitës përpiqen të fitojnë kredo politike nëpërmjet situatës së pandemisë, situatë që është krejt e dukshme se po përballet në mënyrë thellësisht serioze e profesionale nga qeveria. Këta politikanë (term i papërshtatshëm për ta, por konvencional!) nuk e kanë idenë se çfarë është ushtrimi me dinjitet i politikës dhe ç’do të thotë e mirë e përbashkët. Qysh në krye të herës kur Kryeministri u bëri thirrje për një bashkëveprim të koordinuar në të mirë të përballimit të situatës, ata jo vetëm që nuk e pranuan ftesën në të mirë të asaj çka ishte e domosdoshme dhe urgjente: të ndërtimit në kohë të strategjisë për përballimin e situatës që pritej, por u rrekën me të gjitha dredhitë që ta paraqesin çdo humbje jete si një fatkeqësi të ardhur nga politikat e gabuara të qeverisë.
Dukuria që trishton më shumë në këtë skenë nuk është qasja sporadike e ndonjë “shkabe politike”, sepse të tilla ka pasur dhe do të ketë përherë në skenën politike, por strategjia e “tufës së shkabave”! Ata janë organizuar mirë dhe e shohin këtë situatë si një “rastësi ideale për t’u kthyer në pushtet”. Nuk ka se si të jetë ndryshe kur korit të shkabave politike u bashkërendohen “shkabat” televizive, “shkabat” analiste! Ky mendoj se është punto dolens e kësaj situate, që shtysa drejt politikës së keqe është e mirëmenduar dhe bën çdo përpjekje për shthurje të çdo veprimtarie të denjë politike e institucionale në përballimin e situatës. Nga ana tjetër, fëngishta politike e qasjeve të tilla ka të bëjë edhe me faktin se një sukses politik afatgjatë nuk mund të bazohet në lojën me emocionet e njerëzve! Emocioni, për vetë natyrën e tij, është i shpejtë e i beftë, dhe dalëngadalë ia lë hapësirën një gjykimi të kthjellët sapo vështirësitë kalojnë.
“Ministria e Shëndetësisë është rrumpallë”, – pat shpërthyer që në fillim të epidemisë kreu formal i opozitës, duke nxitur ankth masiv te njerëzit që kanë nevojë më shumë se kurrë për mbështetje shpirtërore! Nga ana tjetër, togeri juridik i opozitës qe nisur hijerëndë bashkë me pretorianët e tij drejt prokurorisë për të akuzuar maskat mjekësore si të skaduara. Ekspertët e maskave të skaduara nuk e kuptojnë politikën e tyre të skaduar, e cila është ku e ku më e dëmshme se skadenca e çdo objekti tjetër. Por nuk kaloi shumë kohë dhe opozita u gjend përballë një pune heroike e profesionale të bluzave të bardha dhe shkabat u drejtuan në kahun tjetër: Rama po na rrëmben lirinë. Shumë prej figurave të vjetra të opozitës, partizanë të zellshëm të izolimit shqiptar nën komunizëm, sot kur bota demokratike po e pranon izolimin e pjesshëm me ndërgjegje të thellë për të luftuar pandeminë, na shfaqen si profetë të lirisë kundër “robërisë së supozuar”! Liria është koncept aq i thellë sa duket se askush prej zëdhënësve të opozitës nuk e ka idenë se çfarë është. Nuk besoj se duhet të shastisemi nga ky fenomen i “shkabave politike”, sepse nuk është i ri në politikën shqiptare. Politikanët dhe partitë që e kanë bazuar suksesin e tyre politik në vdekjen dhe në lojën me jetën njerëzore janë të hershëm në teatrin politik shqiptar duke filluar prej katastrofës së ‘97-s, kur presidenti asokohe u detyruar të jepte dorëheqjen vetëm pas mijëra të vdekurve në demonstrata. I njëjti që nuk kursehet të transmetojë valle iranianësh të veshur si mjekë e t’ia shesë ato publikut tonë si ndodhi të spitalit infektiv në Tiranë! Kjo lojë e pistë ka joshur jo pak edhe disa media që gjithë shikueshmërinë e tyre e bazojnë mbi metodologjinë e “shkabave”!
Në këto kohë të trazuara hyn në skenë me forcë të madhe koncepti i së mirës së përbashkët, pjesë themelore e së cilës sot është shëndeti i popullatës dhe kushdo që në mënyrë tinëzare e dëmton atë duhet të marrë përgjigjen e merituar! Kam një bindje se kjo situatë që po kalojmë do të shkaktojë një politizim të theksuar e masiv të njerëzve dhe ata do të dinë të ndajnë politikanët e vërtetë nga “shkabat”, pasi vija ndarëse bëhet më e dallueshme në kohë krizash. Gabimi më i madh që mund të bënte qeveria në këtë situatë do të ishte rrëshqitja në baltën e krijuar nga stërkalat e “shkabave”, duke u marrë me cicmicet shëmtarake të tyre. Ato duhen lënë në mjerimin e tyre politik dhe situata duhet përballuar me dinjitet e profesionalitet që nuk mungon aspak në shëndetësinë shqiptare, siç është dëshmuar në këto javë! Informimi korrekt që po transmeton vazhdimisht Ministria e Shëndetësisë nuk u lë shumë hapësirë keqinformimeve sado të strukturuara të jenë, sepse poshtë tyre qëndron një politikë analfabete e tinëzare! Këta analfabetë që janë propozuar të futen në skenën publike nëpërmjet politikës nuk e kuptojnë se një veprim i gabuar moral i një personi në sferën individuale natyrisht është i rëndë, por një veprim i pamoralshëm në fushën politike mund të ketë pasoja të rënda tek mijëra persona. Besoj se politika e “shkabave” lidhet drejtpërsëdrejti me një krizë morale të trashëguar nga komunizmi e të tejshquar pas rënies së tij, duke bërë që ky soj politikani të jenë të topitur nga ajo që Koliqi e quante “epshi landuer”.
“Shkabat politike” të pa çapok, duhet të mësojnë mirë se pushteti fitohet me përpjekje të përditshme e të denjë për programe politike serioze, e sidomos që nuk duhet të cenohet vija e kuqe që ka të bëjë me shenjtërinë e jetës së njeriut. Nëse as ky cak nuk respektohet, “shkabat” rrezikojnë të rrinë shumë gjatë në shkretëtirën opozitare duke pritur ndonjë kufomë që u jep shpresë! Kjo është politikë rrënimtare dhe e ka fatin të përcaktuar: nuk ka ta ardhme, sado e fuqishme t’i duket vetja në një periudhë të caktuar historike (epidemia!). Politika është përherë një projekt (projectum = i hedhur përpara) i lidhur me të ardhmen dhe me zhvillimin e qëndrueshëm, me atë që u lëmë si pajë fëmijëve tanë e pikërisht për këtë fakt përgjegjësia është e jashtëzakonshme. Një politikë që llogarit votat e së tashmes pa shikuar drejt së ardhmes nuk ka lidhje me historinë. Vetëm politikani zelltar e ndërtues do të mund të thotë: mbeta në histori, sepse tekembramja një zë i fortë i brendshëm i ndërgjegjes më tha që të mos mbetem skllav i lidhur prej gjalmave të interesave, por munda të bëja diçka për të mirën e përbashkët.