Një studim i Universitetit të Kembrixhit hedh dyshime se koronavirusi ka nisur të qarkullojë që në mesin e shtatorit të vitit të shkuar.

Një gjeneticien i këtij universiteti tha se ekziston mundësia që pandemia të mos ketë nisur nga qyteti Wuhan.

Peter Forster po udhëheq një ekip shkencëtarësh në përpjekje për të gjetur burimin e koronavirusit. Qëllimi është që të zbulohet se kush është personi i parë që u infektua.

Të dhënat e siguruara prej tyre thonë se virusi mund të jetë shfaqur mes 13 shtatorit dhe 7 dhjetorit.

Studiuesit kanë zbuluar tre variante të koronavirusit: A, B dhe C. Varianti A gjendet në Kinë, por edhe në SHBA dhe Australi. Në Australi po ashtu gjendet edhe një variant C. Kurse varianti B është ai që gjendet në shumicë në Wuhan dhe në vendet evropiane.

Virusi pëson mutacione në përpjekje për të shmangur sistemet imunitare.

Origjina e virusit është bërë një çështje politike. Presidenti amerikan Donald Trump e ka quajtur vazhdimisht koronavirusin “virus kinez”, ndërsa Pekini ka shprehur një teori konspirative që virusi është bërë dhe futur në Kinë nga ushtria amerikane.

Këtë javë, Fox News dhe CNN raportuan se virusi mund të kishte origjinën nga një laborator në Wuhan.

Teoria e origjinës laboratorike është hedhur poshtë prej kohësh nga shkencëtarët më të mirë në botë, sepse të gjitha provat shkencore ekzistuese treguan për një origjinë tërësisht natyrore. Studimi i vazhdueshëm i Kembrixhit mund të hedhë më shumë dritë mbi këtë çështje.