Bota shton presionin ndaj Kinës për të treguar të vërtetën lidhur me menaxhimin e virusit pandemik.
Linjës amerikane me kritika dhe dyshimet e forta për mungesën e transparencës, i janë bashkuar dhe vende si Australia, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, por me një ton më tepër diplomatik.
“Shpresojmë që Kina të na respektojë, ashtu siç dëshiron të respektohet”, tha ministri i Jashtëm francez, Jean Yves Le Drian.
Deklaratës së tij iu bashkua dhe homologu britanik, Dominic Raab. Ndërsa, kancelarja gjermane Angela Merkel zgjodhi një qasje më të butë duke kërkuar vetëm qartësi. “Besoj se një Kinë më transparente për origjinën e virusit do të ishte më mirë për të gjithë botën dhe një mundësi për të nxjerrë mësime”, shprehet ajo duke shmangur retorikën konfrontuese me Kinën, partnerin më të madh tregtar të Gjermanisë.
Tonet më të ashpra ndaj qeverisë së Pekinit kanë ardhur nga Australia, vend i cili kërkoi një hetim ndërkombëtar për menaxhimin e situatës në nisje të pandemisë në Wuhan si dhe në Kinë në tërësi.
Kjo ngjalli dhe këtë reagim të ashpër. “Që prej shpërthimit të virusit, Kina ka vepruar në një mënyrë të hapur, transparente dhe të përgjegjshme duke ndërmarrë një sërë masash. Kina raportoi menjëherë në Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe ndau informacione lidhur me sekuencën gjenetike të koronavirusit të ri dhe bashkëpunoi me ekspertët e qendrës ndërkombëtare për parandalimin dhe kontrollimin e epidemive”, tha Geng Shuang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Kinës.
Gjithashtu, ai komentoi dyshimet se virusi pandemik mund ta ketë origjinën nga laboratori shkencor i Wuhanit, pistë e cila po hetohet nga inteligjenca amerikane. “Çdo dyshim lidhur me transparencën e Kinës në parandalimin dhe kontrollimin e pandemisë nuk është një linjë me faktet dhe nuk respektojnë përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të popullit kinez. Kemi përsëritur vazhdimisht se origjina e koronavirusit është një çështje serioze shkencore, e cila duhet të zgjidhet nga shkencëtarët dhe ekspertët mjekësor”.
Kina mbështet me forcë idenë që Covid-19 të jetë transmetuar nga lakuriqët e natës te njeriu dhe zanafilla e përhapjes të jetë një treg i kafshëve të egra në Wuhan.